Shpërthimi i virusit, mbyllet spitali në Londër!

Një spital në zonën elektorale të kryeministrit britanik, Boris Johnson, në Londrën perëndimore, tha të mërkurën se ishte mbyllur për pacientët pas shpërthimit të koronavirusit atje.

Shpërthimi u publikua të premten në spitalin Hillingdon. Deri të martën, 70 pjesëtarë të stafit të tij ishin në vetizolim, një numër i tyre pozitivë me virusin.

“Si rezultat, morëm vendimin për ta mbyllur spitalin për ambulancat e emergjencave dhe shtrimet emergjente”, thanë drejtuesit.

Në Britaninë e Madhe, më shumë se 44 mijë pacientë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit, shifër kjo më e larta në Evropë, me statistikat zyrtare që tregojnë madje se bilanci i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë. Vendi regjistroi 65 mijë vdekje më shumë se normalisht në tre muajt para korrikut, ndërsa virusi përhapej në të gjithë vendin.

Izolimi i vendosur në fund të marsit po zbutet tani por Johnson, që kaloi edhe vetë një javë në spital me koronavirus, thotë se do të reagojë shpejt për të mbytur shpërthimet e reja lokale./tch