Një shpërthim pranë një stacioni autobusësh në Manhattan ka vënë menjëherë në lëvizje policinë njujorkeze, që evakuoi edhe 3 linja metroje.
Raportet në shtypin e huaj tregojnë se, në vendngjarje është gjetur një bombë artizanale, e sipas CNN-it, një person është arrestuar tashme.
Disa media, ndërkohë, thonë se i ndaluari kishte një lloj mekanizmi me tela në trup, të cilin e mbulonte me xhup, por autoritetet amerikane nuk nxitojnë ende ta përshkruajnë incidentin si një akt me sfond terrorist.
CNN pretendon se nënkalimi nuk duket të ketë qenë shënjestra e të prangosurit. Bomba, sipas gjigantit mediatik amerikan, mund të ketë shpërthyer para kohe, duke i shkaktuar lëndime të rënda atij vet.
Nuk dihet ende nëse ka të plagosur të tjerë, por një sërë autoambulancash mbërritën në vendngjarje, ku policia vendosi menjëherë një perimetër sigurie.