Shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të premten në mbrëmje në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Siç ka njoftuar Policia, nga shpërthimi është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. “Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani për “KosovaPressin”.

Mësohet se uji ka nisur të rrjedhë nga kanali në mënyrë të pakontrolluar. 

Ndërkohë, siç i kanë thënë KOHËS burimet në hetuesi, dyshimet janë që shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit. Kjo ndërmarrje u ka bërë thirrje qytetarëve që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.

E Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është në komunikim me akterët relevantë teksa ka shtuar se shpreson në sanim të shpejtë të situatës. Aktualisht ka thënë se s’ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se, me marrjen e njoftimit për shpërthimin në gypin e Iber Lepencit, është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevantë, përfshirë IberLepencin, Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Ministrinë e Ekonomisë, organet e rendit dhe autoritetet tjera të përfshira. KEK shprehet se shpreson për një sanim sa më të shpejtë të situatës, por deri më tani nuk ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit. Për çdo zhvillim të ri,  të gjitha palët e interesuara do te informohen ne kohe optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Në dy ditët e fundit, në veri pati disa incidente të tjera. Në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës. Për këtë, Policia të premten njoftoi se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendi. /koha