Një person është konfirmuar i vdekur pasi një automjet “Tesla Cybertruck” shpërtheu para hotelit “Trump International” në Las Vegas, Nevada të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Policia amerikane mbrëmë vonë njoftoi se personi i vdekur ishte brenda automjetit në momentin e shpërthimit, ndërsa nga shpërthimi u plagosën shtatë kalimtarë.
Ndonëse identiteti i personit, fillimisht nuk ishte ditur, ai më pas u identifikua nga autoritetet.
Bëhet fjalë për 37-vjeçarin Matthew Livelsberger nga Kolorado Springs, njoftuan mediat lokale.
Livelsberger kishte disa adresa në Kolorado Springs të lidhura me të, sipas “News5”.
Në raportim thuhet se Byroja Federale e Hetimit (FBI) është në një kompleks shtëpish në qytet, i cili ndodhet në lagjen “Stetson Hills”, duke vazhduar me hetimet lidhur me rastin.