Familja është vatra ku e ndiejmë thellësisht kuptimin e jetës. Ajo na e përforcon ndjenjën për njerëzit e gjakut tonë dhe për të gjithë njerëzit tjerë. Këtë ndjenjë dua ta zgjoj te fëmijët e mi, sepse pa familjen do të mbeten të braktisur përgjithmonë.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Platoni, nëpërmjet alegorisë së shpellës, shkroi për mungesën e edukimit në natyrën njerëzore. Nëse brenda shpellës është bota e injorancës, jashtë saj është bota e ideve. Nëse bota e shpellës është vetëm hije, bota jashtë saj është realiteti. Njeriu i lindur, i rritur dhe i robëruar në shpellë e sheh vetëm reflektimin e botës, hijen e realitetit, kurse bota e vërtetë, ajo që nuk shihet me sy, është qenia. Shqiptarët e kanë thënien: “Njeriu nuk sheh me sy, por me zemër”.
Sipas kësaj alegorie, njerëzit besojnë se jashtë shpellës asgjë nuk është e vërtetë. Të vërteta për ata janë vetëm hijet e objekteve që krijohen mureve të shpellës shkaku i dritës së zjarrit. Njeriu mund të dalë nga shpella e injorancës vetëm kur e kuron paditurinë. Më pas ai duhet të rikthehet në shpellë që t’i çlirojë të tjerët nga prangat e mosdijes. Ky është detyrimi i njeriut të ditur, i cili, sipas Mit’hat Frashërit, duhet të kujdeset për njeriun e paditur…
II.
Sot jemi rikthyer në shpellë. Shohim vetëm hije. Hije të realitetit. Nuk e shohim dhe nuk njohim realitetin. Jetojmë në hiperrealitet, që Jean Baudrillard-i e përkufizoi si gjendje ku njeriu nuk mund ta kuptojë se ku mbaron realiteti dhe ku nis shëmbëllesa, pra simulimi i realitetit nëpërmjet teknologjisë.
Bota e sotme virtuale është bërë shpella e qytetërimit tonë. Përtej botës virtuale janë njerëzit, familja dhe bota e vërtetë, që i humbim gjithnjë e më shumë, sepse shndërrohemi në marioneta. Dikush tjetër na e shkruan skenarin e jetës. Dikush tjetër na e modelon mënyrën e të menduarit dhe të të jetuarit. Dikush tjetër na e përcakton se çfarë është vlerë. Si marioneta duhet t’u nënshtrohemi skemave pa dyshuar dhe pa i kontestuar ato, aq sa e kemi bindjen se në periudhën e konsumerizmit duket e pamundur dalja nga bota e hijeve. “Në fund do të bëhemi pjesë e një metropoli të vetëm, një varri universal.”, tha Emile Ciorane.
III.
Njeriu priret ta kujtojë me mall të kaluarën dhe të besojë, madje edhe ta teprojë, se e kaluara ishte më e mirë se e sotmja.
Brezi ynë i kujton vështirësitë e fëmijërisë dhe të rinisë, por edhe çastet e bukura të asaj kohe që i mungonte luksi.
Ishte koha kur na mungonte shumëçka e natyrës materiale, por së paku jetonim në botën reale, përkundër propagandës shtetërore, që kishte si synim ta zhvishte botën nga çdo përmasë sakrale.
Ishte koha kur prindërit, që mezi na fusnin në shtëpi, na shihnin si fëmijë të zakonshëm dhe jo si gjeni të ardhshëm. Na mësonin ta respektonim mësuesin. Nuk i fajësonin mësuesit për notat tona të dobëta. Nga këto shkolla dolën njerëz që popullit të tyre i krijuan shtet dhe i dhanë liri.
Ishte koha kur nuk turpëroheshim nëse na dilnin tollumbat si të Lulit të Vocërr, sepse të qenit i varfër nuk konsiderohej as faj dhe as turp.
Ishte koha kur askush nuk na e merrte për dobësi pse e respektonim familjen dhe më plakun ose nëse skuqeshim nga turpi.
Ishte koha kur nuk e njihnim fjalën fast food, por hanim ushqime pa helme.
Nuk ishim “mendjehapur”, por ishim më solidarë dhe më të guximshëm. Dinim të rebeloheshim edhe kundër makinerisë më të frikshme – shtetit totalitar.
Bota jonë ishte më e vogël se bota e sotme virtuale. Lajmet për ngjarjet në cepin e botës nuk vinin në kohë reale. Ato sikur i sillte Marathonomaku. Ne jetonim në qendrën e botës sonë të vogël, e cila ishte më e mbrojtur nga lajmet e rrejshme, tronditëse, stresuese.
IV.
Çfarë do të kujtojë brezi që ka lindur në kohën e hiperrealitetit? A do të kujtojë vetëm lojërat plot dhunë, bigbrotherat dhe “artistët” që “krijojnë” tekste të stërmbushura me sharje?
Ky brez ka më shumë mundësi, por jeton në kohën kur perversja është bërë normalitet, kur jonormalja ekspozohet si vlerë, kur mania për konsum dhe pasurim të shpejtë e lufton çdo vlerë morale, shpirtërore, transcendentale. Sa më shumë publik, aq më shumë para.
Mund të jem mendjembyllur, por s’dua t’i përkas një qytetërimi që po e humb përmasën shpirtërore dhe nuk i kushton vëmendje familjes dhe komunitetit.
Familja është vatra ku e ndiejmë thellësisht kuptimin e jetës. Ajo na përforcon ndjenjën për njerëzit e gjakut tonë dhe për të gjithë njerëzit tjerë. Këtë ndjenjë dua ta zgjoj te fëmijët e mi, sepse pa familjen do të mbeten të braktisur përgjithmonë. Viktor Hygo tha: “Fëmija që është braktisur nga familja e tij qoftë vetëm një herë, do të mbetet jetim deri në vdekje”. Familja sipas Brad Henryt, është “busulla që na udhëheq”, është “frymëzimi për të arritur lartësi të mëdha” dhe “ngushëllimi ynë kur biem poshtë.”
Brenda familjes është bota reale. Aty ndjehet prekja dhe ngrohtësia ndërnjerëzore. Bota mund të rëndohet nga luksi, mund të përparojë në planin teknologjik, por nëse e humb këtë ngrohtësi, atëherë do të jetë e akullt nga brenda, do të jetë si një shpellë… /revistashenja