Shpallen të pafajshëm Ferid Agani dhe Gani Shabani

Gjykata Themelore në Prishtinë, sot i ka shpallur të pafajshëm ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.Aktakuza e Prokurorisë e ngritur në qershor të vitit 2016 e ngarkonte ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani, ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani dhe 62 persona të tjerë për disa vepra penale; “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit”, “dhënia e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe për veprën “shmangia nga tatimi”.Ky rast penal është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave i koduar me emrin ‘Stenta’.Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’, mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.Ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzohen në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ish-ministri Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.Në seancën e fundit të mbajtur lidhur me këtë rast më 29 gusht 2022, Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Florje Shamolli – Salihu ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës, duke hequr pjesë se të akuzuarit ‘nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin për prokurimin publik’ pasi që sipas saj, një ekspertizë e prokurimit thotë se subvencionet nuk i nënshtrohet ligjit të Prokurimit Publik, dhe po ashtu ka modifikuar shumën e dëmit të pretenduar nga 4,555,55.00 euro në vetëm mbi 11 mijë euro, duke u thirrur në një ekspertizë financiare.Të akuzuarit janë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë përgjatë të gjitha fazave të procesit gjyqësor.Mbi këto akuza Agani dhe Shabani ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në prill të vitit 2019.Agani ishte dënuar nga Gjykata Themelore me dy vjet e gjysmë burg ndërsa Shabani me 2 vjet burg mirëpo pas ankesave të mbrojtjes, Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 e kishte kthyer çështjen në rigjykim.