Shoygu: Rusia rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në përgjigje të agresionit perëndimor

Rusia rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në përgjigje të agresionit nga vendet perëndimore, tha sot kreu i Këshillit të Sigurisë së vendit, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, Sergey Shoygu, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes tha se Rusia po monitoron nga afër përforcimet ushtarake në vendet evropiane.

“Në nëntor 2024, u prezantuan ndryshime në Bazat e Politikës Shtetërore të Federatës Ruse për Parandalimin Bërthamor, duke afirmuar se Rusia rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast agresioni kundër saj ose Republikës së Bjellorusisë, qofshin ato bërthamore apo konvencionale”, shpjegoi ai.

Shoygu tha se sipas Strategjisë së përditësuar të Sigurisë Kombëtare, nëse shtetet e huaja përfshihen në akte jomiqësore që kërcënojnë sovranitetin ose integritetin territorial të Rusisë, Moska mund të përgjigjet me masa simetrike dhe asimetrike për të penguar veprime të tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre.

“Parandalimi bërthamor synon shtetet dhe aleancat ushtarake që e konsiderojnë Rusinë si një kundërshtar të mundshëm dhe zotërojnë armë të shkatërrimit në masë ose aftësi të konsiderueshme ushtarake për qëllime të përgjithshme”, tha ai.

Shoygu shtoi se këto masa shtrihen edhe në vendet që lejojnë që territori dhe burimet e tyre të përdoren në përgatitjet ose ekzekutimin e agresionit kundër Rusisë.

“Angazhimi për ruajtjen e integritetit të hapësirës së përbashkët mbrojtëse të Rusisë dhe Bjellorusisë si dhe zbatimi i koordinuar i masave të parandalimit strategjik, është kodifikuar në Konceptin e Sigurisë së Shtetit të Bashkimit, të miratuar në dhjetor 2024 dhe në Marrëveshjen për Garancitë e Sigurisë midis Rusisë dhe Bjellorusisë, të zhvilluar me përfshirjen aktive të këshillave të sigurisë të të dy vendeve”, theksoi ai.

Komisioni Evropian prezantoi në mars planin e “ReArm Europe” për një rritje të investimeve në aftësitë mbrojtëse të shteteve anëtare.