Njerëzit vazhdimisht pyesin se përse tek ne në Kosovë ka prezencë shumë të vogël të njerëzve që frekuentojnë nëpër teatre, cirke, kinema, etj. A është kjo mungesë e kulturës apo problematika qëndron diku tjetër…?
Duke parë gjendjen në Kosovë dhe mënyrat se si po marrin rrjedhën e organizimit ahengjet tona, e në veçanti darsmat, mendojë se problemi nuk qëndron tek pakultura jonë për diç të tillë. Por, problemi qëndron tek ajo se përgjatë tërë verës po stërngopemi, bile nga stërngopja e madhe po kemi probleme të vazhdueshme me të vjellurat dhe djerrinë, nga show spektaklet rrugaçe që po na imponohen.
Më parë ahengjët, dhe në veçanti darsmat, bëheshin brenda familjes ngase edhe vetë emërtimi si aheng familjarë nënkuptonte një gjë të tillë. Me kalimin e kohës, dhe periudhës së tranzicionit nëpër të cilën kalojë Kosova, ku nga ky tranzicion nuk u kursyen as ahengjet tona, ahengjët filluan që të mbaheshin nëpër restorante të ndryshme. Por, dita ditës, një gjë e tillë ka filluar që të evoluon shumë dhe tani darsmat dhe ahengjet tjera familjare kanë filluar të mbahen rrugëve.
Darsmorët, duhet që medoemos të mbajnë të bllokuar rrugën dhe të japin detyrimisht përformancën e tyre duke mos dashur t’ia dinë fare nëse në mesin e të bllokuarve në rrugë dhe të spektatorëve të detyruar mund të ketë hallegjinjë, njerëz që janë duke shkuar në morte apo edhe të tillë që janë duke bartur të sëmurë.
Lerë që do jesh i detyruar që të shohësh këtë show spektakël që ta ofron rruga, duke qenë të shoqëruar me valle të përzier mes grave dhe burrave, mes të rinjve e të rejave, dhe fëmijëve që pa u kontrolluar fare bredhin rrugës sa tek njëra sa tek tjetra makinë, por mbi të gjitha do jesh i detyruar që pas përfundimit të spektaklit të presësh me orë të tëra në kolonën që tashmë është krijuar për disa kilometra.
Kur krejt kësaj ia shtojmë edhe vapën përcëlluese atëherë mbushet kupa dhe çdo gjë mundet lirishtë të dal jashtë kontrollit dhe situata të eskalojë në çdo moment.
Të ndëruar, ne mund të ju kuptojmë se keni gazmend dhe jeni të gëzuar. Po ashtu, jemi të vetëdijshëm që tani jemi të lirë dhe nuk na frikëson askush por mos të harrojmë se të jesh i lirë nuk nënkupton të kesh të drejtë të dalësh dhe të bësh çka të duash në mes të rrugës. Çdo kujt duhet dhënë e drejta e tij, duke përfshirë edhe rrugën, andaj mos ia cënoni të drejtën e lëvizjes për shfaqjet tuaja. Kjo nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër u bëjë thirrje artistëve të Kosovës që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj dukurie, sa nuk është shëndrruar në fenomen shoqërorë, se do vije koha kur do ngelin edhe pa bukën e gojës.
Dhe për fund, ju qoftë për hajr darsmja, ahengu e gazmendi juaj, ndërsa neve na qoftë për hajrë pritja e gjatë nën vapën përcëlluese të verës. Kjo i bie tamam si ajo fjala popullore “Fikë se fikë bile me muzikë”.