Shoqatat e dala nga lufta kërkojnë zbatim më të mirë të ligjeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim kryetarin e Shoqatës të Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jasharin dhe kryetarin e Shoqatës të Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhajn.

Në këtë takim është biseduar për sfidat që po ballafaqohen familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës, sidomos ato që kanë të bëjnë me disa barriera ligjore.

Sipas një komunikate të Presidencës, Thaçi është interesuar për mirëqenien e tyre, duke thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e tyre.

Përfaqësuesit e këtyre dy shoqatave kanë theksuar se ekziston një nevojë për një zbatim më të mirë të ligjeve që prekin këto kategori, si dhe një koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve, sidomos ministrive.

Me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në realizimin e kërkesave të këtyre kategorive, gjithmonë duke u bazuar në praktika pozitive në rajon dhe Evropë.