Vështirë të percaktohet në kohët moderne të boom-it të konsumizmit një kufi i qartë mes blerjes normale dhe asaj patologjike.
Një përgjigje e shpejtë do të ishte se shopping- kompulsiv është një mekanizëm mbrojtës ndaj përjetimeve dhe ndjenjave të dhimbshme, sidomos për shkak të marrëdhënieve, duke krijuar një lloj mbrojtje nga një imazh i dobët për veten dhe nga rreziku i perhershem i të braktisurit.
Në eksperiencën emocionale të shopping, individët dallohen nga niveli i ndryshëm i impulsit për të blerë, si një burim eksitimi, kënaqësie dhe relaksimi.
Disa tregojnë se ndihen “të ekzaltuar” gjatë kësaj sjellje; “diçka që jep adrenaline” …apo “është si të bësh dashuri me produktin …”.
Shopping kompulsiv është një çrregullim që implikon tre kategori çrregullimesh psikologjike e të sjelljes si :
Çrregullimi i kontrollit të impulseve
Individi nuk i reziston dot impulsit për të blerë, pavarësisht nëse është i domosdoshëm apo jo dhe shpesh herë edhe në mungesë të mundësive financiare.
I parë keshtu ‘impulsi i blerjes’ kthehet në një tendencë të ekzagjeruar dhe shkatërruese, shoqëruar nga një nevojë që kërkon të kënaqet urgjentisht.
Sjellja Obsesive
Nga ana tjetër përseritja e sjelljeve blerëse, të con në karakteristikën obsesive të këtij çrregullimi i cili duket të rritet ashtu sikurse edhe probleme të tjera obsesive në prani të situatave stresante.
3.Varësia nga një aktivitet
Por karakteristika që padyshim duket më e vështira për t’u çrrenjosur është varësia nga sjellja e blerjes.
Kjo sindromë quhet : “Shopping kompulsiv” , “Varësi nga blerjet” ose “Shopaholism” ( mania për shopping).
Gjthsesi, American Psychiatric Association (APA), nuk e njeh si çrregullim.
Subjektet që prezantojnë këtë çrregullim , kryesisht femra të reja në moshë, nëse fillimisht blejnë për kënaqësinë që të sjell një veshje apo një objekt i ri, më pas kjo kënaqësi, pak nga pak, shoqërohet me një gjendje tensioni gjithnjë në rritje dhe dëshira për blerje bëhet e pafrenueshme.
Fillon të blejë objekte të cfarëdolloji që në pjesën më të madhe lihen në një cep ose hidhen dhe kjo gjë shoqërohet me ndjenja faji dhe turpërim.
S.L. McElroy, një studiuese amerikane që është marrë gjerësisht me ketë fenomen , ka propozuar kriteret e mëposhtme diagnostikuese për të bërë dallimin mes personave që praktikojnë blerjet si një aktivitet normal, nga ata për të cilët ky aktivitet merr karakteristika patologjike :
- Preokupim, impuls apo sjellje të të blerit jo të përshtatshëm të perjetuar si e parezistueshme, që ndërhyn me forcë apo pa sens; të blerit në mënyrë frekuente të objekteve të padobishëm , përtej mundësive objektive, dhe që zë një periudhë kohe më të gjatë se ajo që ishte paracaktuar;
- Preokupimi, impulsi apo akti i të blerit shkaktojnë stres të fortë, bëjnë të harxhohet kohë, ndërhyjnë në mënyre të theksuar në funksionimin social , në punë dhe shkaktojnë probleme financiare (borxhe me bankën ose falimentim);
- Blerja në mënyrë kompulsive nuk prezantohet në rrjedhën e crregullimit të manisë apo hipomanisë.
Shopping kompulsiv , sipas studimeve sot pranohet se “ është një problem mendor, një gjendje e shkaktuar nga ndryshimet e vazhdueshme në strukturën dhe funksionimin mendor” (Leshner, 2001).
Si një substancë kimike edhe një eksperiencë emocionale mund të jenë kaq kënaqësi -sjellëse sa të krijojnë një lidhje varësie prandaj, nëse ndjeni që keni këto shenja të lartpërmendura, duhet patjetër të drejtoheni tek një psikolog për t’ju ndihmuar të largoni varësinë ndaj tyre./Mesazhi/