Shoferi i makinës Tesla jashtë hotelit Trump në Las Vegas pësoi plagë me armë zjarri

Autoritetet amerikanë kanë bërë të ditur se shoferi i një Tesla Cybertruck pësoi një plagë me armë zjarri në kokë para se automjeti të shpërthente jashtë një hoteli Trump në Las Vegas, transmeton Anadolu.

Sherifi i kontit Clark, Kevin McMahill, në një konferencë për media e identifikoi shoferin si Matthew Livelsberger, duke theksuar se shoferi “pati një plagë me armë zjarri në kokë para shpërthimit të automjetit”.

“Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë subjekti tjetër të përfshirë në këtë rast të veçantë”, tha McMahill.

Duke adresuar raportet mbi lidhjet e mundshme midis të dyshuarit të Las Vegasit dhe të dyshuarit në sulmin në New Orleans ditën e Vitit të Ri, McMahill tha që të dy shërbenin në bazën ushtarake Fort Bragg në Karolinën e Veriut.

Megjithatë, ai tha se është një “bazë shumë e madhe ushtarake” dhe nuk ka “asnjë të dhënë” që ata kanë shërbyer në të njëjtën njësi apo edhe në të njëjtat vite në Fort Bragg, diçka që, siç tha ai, “vazhdon të mbetet nën hetim”.

McMahill tregoi se të dy të dyshuarit ishin vendosur në Afganistan në vitin 2009, por nuk ka asnjë provë se ata ishin në të njëjtën provincë, vendndodhje ose njësi gjatë vendosjes.

“Ne, sigurisht, gjithashtu e dimë se ata të dy përdorën kompaninë e qirasë ‘Turo’ për të marrë me qira automjetet e tyre”, shtoi ai.

Zyra Federale e Hetimeve (FBI) tha se nuk ka “asnjë lidhje definitive” midis sulmit vdekjeprurës në New Orleans dhe shpërthimit të automjetit jashtë hotelit Trump në Las Vegas.

Sipas sherifit, Livelsberger shërbeu gjithashtu si një rreshter i operacioneve të Beretës së Gjelbër, i cili kaloi shumicën e kohës në Fort Carson, Kolorado, si dhe në Gjermani.

“Ai ka qenë edhe më parë në Gardën Kombëtare dhe në Rezervën e Ushtrisë”, shtoi ai.

Në sulmin në ‘Lagjen Franceze’ në New Orleans, një shofer me dashje përplasi një kamionçinë në një turmë njerëzish në rrugën ‘Bourbon’. I dyshuari u identifikua si Shamsud-Din Jabbar, 42-vjeç, me origjinë nga shteti i Teksasit.

McMahill adresoi “ngjashmëritë shumë të çuditshme” midis dy incidenteve, duke theksuar se, “Ne nuk jemi të përgatitur të përjashtojmë apo përfshijmë ndonjë gjë në këtë pikë, ka shumë më tepër për të bërë në këtë hetim”.

“Ne nuk kemi hyrë as në telefonat apo kompjuterët, të cilët zakonisht janë shumë udhëzues dhe informues për ne derisa hetojmë. Dhe ne kemi shumë më tepër punë për të bërë për ta gjurmuar atë (Livelsberger-in)”, tha ai.

Agjenti Special i FBI-së, Spencer Evans, tha se zyrtarët janë ende duke hetuar motivimin pas shpërthimit të Las Vegas, gjë të cilën e quajti “përparësia e tyre numër një”.

“Kjo është arsyeja pse FBI-ja, Task-Forca e Përbashkët e Terrorizmit është vënë në lojë”, shtoi ai.