Shoferëve iu bëhet thirrje për kujdes në rrugë, “Nënshkruaj betimin, shpëto jetë”

Me rastin e “Javës së Sigurisë Rrugore”, ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, kanë nënshkruar betimin për ta përçuar mesazhin tek opinioni, “Nënshkruaj betimin, shpëto jetë”.

Me këtë rast u kërkua nga shoferët që të kenë më shumë kujdes dhe të respektojnë rregullat në komunikacion, e kështu theksojnë se do të shpëtohen edhe jetë njerëzish.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka vlerësuar këtë nismë meqë siç është shprehur çdo vit ka humbje të jetërave të qytetarëve.

“E vlerësoj këtë nismë për rritjes së sigurisë në komunikacion në Kosovë, për faktin se çdo vit ka humbje të dhjetëra jetëve të qytetarëve të republikës së Kosovës si pasojë e moskujdesit të atyre që i ngasin automjetet. Ndoshta me këtë akt ne do ta tërheqim pak a shumë vëmendjen e çdo njërit prej nesh, në mënyrë që të tregohemi të vëmendshëm, të respektojmë të gjitha rregullat në komunikacion në mënyrë që sado pak të ndikojmë secili prej nesh në shpëtimin e jetës së njerëzve sepse jeta është me e çmuara sot”, ka thënë Veliu.

Veliu ka thënë se është njëri prej atyre që premton se do të bëjë përpjekje maksimale që premtimin ta mbaj në bazë të kësaj marrëveshje premtimi që sot është nënshkruar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj fushatën e cilësoi si të qëlluar dhe të nnevojshme për vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës.