Kosova do të ketë edhe një shans të fundit për liberalizimin e vizave deri në muajin shkurt të vitit 2017.
Por kjo do të ndodhë vetëm nëse parlamenti i Kosovës, e voton marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, në këtë mënyrë Kosova do të rikthehej në të ashtë quajturën “Pakon”, në të cilën momentalisht janë Gjeorgjia dhe Ukraina, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj në një intervistë për Indeksonline.
Sipas Ministrit Hoxhaj qysh para katër vitesh kur Qeveria ka marrë udhërrëfyesin për mundësinë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt Evropës, demarkacioni ka qenë një kusht i njohur qoftë për Qeverinë e Kosovës, qoftë për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Hoxhaj ka shpjeguar se këta dy muaj janë të rëndësishëm edhe për Kosovën, meqë nëse Parlamenti i Kosovës do ta ratifikonte marrëveshjen për demarkacionin gjatë muajit janar, ne do të kishim mundësi ta zëmë afatin e fundit me qëllim që qoftë Komisioni Evropian, qoftë Parlamenti Evropian të votojnë pro lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës.
–Kosova në rrugën e saj të integrimeve Evropiane ka pasur një rrugë të stërzgjatur madje kjo “rrugë” është zgjatur edhe më tej me dy kriteret e fundit atë të demarkacionit dhe të luftimit të krimit të organizuar proces i cili zgjatë me vite por që nga Brukseli është kërkuar që të filloj të plotësohet me urgjencë para liberalizimit të vizave, a mendoni se Kosovës iu është bërë e pa drejt kushtëzimi i vizave me këto dy kritere, krahasuar me dy vendet e fundit si Ukraina dhe Gjeorgjia që tani kanë marrë dritë të gjelbër për vizat e të cilat kanë probleme të theksuara me sigurinë dhe korrupsionin ?
Enver Hoxhaj: Qysh para katër vitesh kur ne kemi marrë udhërrëfyesin për mundësinë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt Evropës, demarkacioni ka qenë një kusht i njohur qoftë për Qeverinë e Kosovës, qoftë për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Arsyeja pse nuk kemi mundur ta gëzojmë këtë të drejtë në fund të vitit 2016, ka të bëjë më shumë me rrethanat e brendshme sesa të jashtme. Për mendimin tim është e pakuptimtë se si një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë hezituar që ta votojnë një marrëveshje ndërkombëtare e cila e shënon vijën kufitare aty ku ka qenë historikisht, çdo herë, dhe sipas të cilës Kosova nuk humbë asnjë pjesë të territorit dhe ky është kushti i vetëm i matshëm i cili i ka mbetur Kosovës.
Mirëpo, nëse flasim për atë se a mund ta gëzojnë një të drejtë të tillë Gjeorgjia dhe Ukraina, duhet të them se për Gjeorgjinë Parlamenti Evropian do të mund të vendosë tek në janar se a do të udhëtojnë qytetarët e Gjeorgjisë pa viza. Ndërsa, sa i takon Ukrainës, datë se kur mund të vendos Parlamenti Evropian për këtë shtet është shkurti 2017.
Këta dy muaj janë të rëndësishëm edhe për Kosovën, meqë nëse Parlamenti i Kosovës do ta ratifikonte marrëveshjen për demarkacionin gjatë muajit janar, ne do të kishim mundësi ta zëmë afatin e fundit me qëllim që qoftë Komisioni Evropian, qoftë Parlamenti Evropian të votojnë pro lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës.
Përndryshe, viti 2017 është një vit zgjedhor në peizazhin evropian ku dinamikat e zgjedhjeve nacionale do ta formësojnë shumë çdo vendim që mund ta merr Brukseli në raport qoftë me liri të lëvizjes, qoftë me procese të tjera integruese evropiane.
–Si ka shkuar procesi i njohjeve të Kosovës si shtet nga vendet e ndryshme gjatë vitit 2016, si vlerësoni ju këtë proces ?
Enver Hoxhaj: Marrë në tërësi, procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës gjatë vitit 2016 ka qenë i suksesshëm. Natyrisht që është varur nga dinamikat në vendet të cilat do të duhej ta njihnin Kosovën, por ne kemi bërë përpjekje maksimale që ta ushtrojmë një politikë të jashtme me efikase, e cila i promovon interesat sa të brendshme po aq edhe të jashtme.
Sigurisht që politikën e jashtme nuk e shohim si statistikë dhe nuk ka të bëjë me atë se sa vende mund ta njohin apo jo Kosovën gjatë këtij viti, por para gjashtë muajsh kur e kam marrë postin e Ministrit të Jashtëm kam premtuar që do të ketë tri njohje të reja. Jam shumë krenar që dy nga ato veçse e kanë njohur Kosovën: Suriname dhe së fundmi Singapori. Ky i fundit është ndër ekonomitë më të zhvilluara në botë dhe një vend kyç i bashkëpunimit dhe ndikimit ndërkombëtar në Azinë Juglindore dhe mund të them që është prej njohjeve më të rëndësishme që i ka pasur Kosova në këto vitet e fundit.
Ne jemi të vendosur që ta kompletojmë sovranitetin e shtetit të Kosovës, kështu që me një besim të madh, me një vullnet të pathyeshëm dhe me një kulturë të mosdorëzimit do të bëjmë përpjekje maksimale që ta rrisim numrin e njohjeve të Kosovës. Natyrisht që kërkohet që të ketë qasje kreative dhe gjatë këtij fund-viti edhe në Konferencën e Ambasadorëve kemi nxjerrë një bilanc se si t’i qasemi njohjes ndërkombëtare të Kosovës vitin e ardhshëm.
–Ka pasur lajme se gjatë viti 2017 do të arrijnë disa njohje nga disa shtete të Azise, për të cilat shtete konkretisht është fjala, ose cilat janë ato shtete potenciale që mund të presim njohje?
Enver Hoxhaj: Kur në fillim të këtij mandati, para gjashtë muajsh, kam thënë që do të ketë një njohje nga një shtet aziatik, pikërisht në atë kohë e kam menduar Singaporin, meqë në këto katër vitet e fundit kam qenë disa herë në Singapor, ku kam takuar dy ministrat e jashtëm dhe pothuajse në shtator të këtij viti e kam kuptuar që Singapori veçse ka marrë vendim që ta njeh Kosovën. Mirëpo mandej së bashku me ministrin e tyre të jashtëm kemi koordinuar edhe datën e shpalljes së kësaj njohjeje, e cila ka qenë më 1 dhjetor të këtij viti.