Shkup, mbahet marsh protestues për viktimat e zjarrit në Koçan

Në Shkup u mbajt protestë pas zjarrit në një klub nate në qytetin e Koçanit në lindje të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e të cilit jetën humbën 59 persona, raporton Anadolu.

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin Maqedonia me thirrjen e inicativës “Kush është i radhës?”.

Protestuesit mbajtën tri minuta heshtje për viktimat e zjarrit, ndezën qirinj dhe lanë lule.

Pjesëmarrësit marshuan drejt ndërtesës së Kuvendit dhe Spitalit të Qytetit, duartrokitën për pesë minuta në mbështetje të punonjësve të shëndetësisë dhe më pas marshuan drejt godinës së qeverisë.

Ata brohoritën “Mjaft vdekje”, “Secili mund të jetë i radhës”, “Drejtësi për viktimat” dhe “Mjaft ishin ne, sistemi është i radhës”.

Gjatë marshit u panë edhe pankarta me mbishkrimet “Sistemi është i radhës”, “Sa ryshfet duhet për të rikthyer viktimat”, “Nuk ka heshtje, vetëm drejtësi” dhe “Përfitimi juaj, jetët tona”.

“Sonte jemi mbledhur për shkak të dhimbjes, padrejtësisë dhe për shkak të tragjedive që kishin mundur të parandaloheshin”, tha aktivisti Blendi Hodai.

Ai bëri thirrje për ndryshime, duke thënë se më nuk do të heshtin përballë padrejtësive në të ardhmen.

Protestuesit, të cilët mbajtën një heshtje 16-minutëshe para qeverisë, u shpërndanë paqësisht pas fjalimeve të tyre.

– Ngjarja

Rreth orës 3:00 pas mesnate më 16 mars, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate, i shkaktuar nga lëndë piroteknike gjatë një mbrëmjeje zbavitëse.

Nga zjarri humbën jetën 59 persona dhe mbi 170 të tjerë u lënduan. Dymbëdhjetë prej të lënduarve u transportuan në Istanbul dhe Ankara për trajtim me aeroplanët ambulancë të dërguar nga Türkiye.

Nga hetimet pas ngjarjes rezultoi se objekti në fjalë ishte i palicencuar, ndërsa autoritetet nisën procedura hetimore ndaj të paktën 34 personave, mes të cilëve edhe ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli shtatë ditë zie kombëtare pas incidentit.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, dha dorëheqjen pas ngjarjes.