Shkup, mbahet manifestimi kulturor “Kandilat e Bajramit”

Fëmijë të shumtë, të shoqëruar nga prindërit e tyre, kishin ardhur para xhamisë së Mustafa Pashës në Kala të Shkupit, për shëtitjen tradicionale me tren, një ditë para festës së Fitër Bajramit, në kuadër të manifestimit tradicional “Kandilat e Bajramit”, të cilin për çdo vit e organizon Shoqata Kulturore “Vizioni M”, raporton Anadolu Agency (AA).

Poashtu shoqata kulturore këtë vit ishte përkujdesur edhe për një ekspozitë fotografishë që për motiv kanë atmosferën gjatë muajit të Ramazanit.

Treni i Bajramit, i stërmbushur me fëmijë, nga xhamia Mustafa Pashë, vazhdoi nëpër rrugët e komunës së Çairit për të përfunduar rrugëtimin në Çarshi tek sheshi para xhamisë Murat Pashë, ku për fëmijët ishte organizuar një Hepening, ndërsa u ndanë edhe çmimet për fotografinë më të mirë të Ramazait, aktivitet ky i OJQ-së, Parimi.

I tërë ky aktivitet i shoqatës Kulturore “Vizioni M, siç tha anëtari i saj Suad Berisha, përfundon me shpërndarjen e pakove ushqimore, që edhe nevojtarët të mund të shijojnë kremtën e Bajramit.

“Këtë vit donatorët tanë kanë siguruar 500 pako të cilat do t’i shpërndajmë më të përunduar manifestimi”, tha Berisha. Zinur Emini nga shoqata për edukim Parimi, foli për garën për fotografinë më të mirë në kuadër të fushatës “Foto Mozaiku i Ramazanit”, ku secili qytetar ka mundur të dërgojë një foto në profilin zyrtar të organizatës.

“Janë përzgjedhur dhjetë fotografitë më të mira, nga të cilat dy kanë dalur fituese të garës. Njëra është zgjedhur nga juria ndërsa tjetra në bazë të numrit të pëlqimeve që ka pasur në Facebook”, tha ajo.

Ndryshe, ky është viti i 12-të i organizimit të manifestimit ”Kandilat e Bajramit”, i cili tashmë është shndërruar në tradicional.