Në Çarshinë e vjetër të Shkupit, me rastin e muajit Muharrem, sot u bë shpërndarja e ashures për qytetarët, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e shpërndarjes së ashures që organizohet në mënyrë tradicionale për 12 vite me radhë nën kryesimin e Komunës së Bursa-s në Turqi dhe të Komunës së Çairit, nga Organizata humanitare El Hilal dhe Shoqata Kulturore Ensar, morën pjesë Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, Drejtori i Çështjeve Sociale dhe të Shërbimeve Edukative të Komunës së Bursa-s, Ibrahim Kahraman dhe delegacioni shoqërues, kryetari i organizatës El Hilal Behixhuddin Shehabi, kryetari i Shoqatës Ensar Sulejman Baki si dhe qytetarë nga Shkupi.
Gjatë fjalimit të tij nga komuna e Bursa-s, Kahraman duke i përcjellur përshëndetjet e kryetarit të komunës së Bursa-s, Recep Altepe, tha se aktiviteti i shpërndarjes së ashures në Shkup organizohet për të 12 vit me radhë.
Duke vënë në dukje se aktivitetet e tilla do t’i vazhdojnë në shtetet e Ballkanit si në Bosnjë e Hercegovinë, Hungari, Mal të Zi dhe Shqipëri, Kahraman tha se “Ne ndjejmë lumturi për të qenë këtu me vëllezërit tanë. Në këtë muaj të bekuar, në muajin Muharrem, ndjejmë kënaqësinë e të qënit së bashku dhe të ndarjes së ndihmës. Nga këtu dua të shpreh se edhe pas kësaj, përsëri në vitet e ardhshme do t’i vazhdojmë aktivitetet tona të ashures”.
Kryetari i organizatës humanitare El Hilal, Shehabi tha se me rastin e muajit Muharrem do të shpërndajnë për 4 mijë persona nga 10 kazanë me ashure.
Duke falënderuar Komunën e Bursa-s për mbështetjen e dhënë për organizimin e këtij aktivitetim Shehabi tha se “Është obligim i ynë mbrojtja e vlerave të historisë sonë të lavdishme, në kuadër të fesë së shenjtë Islame e cila ka ardhur me sundimin e civilizimit Osman me vite të tëra, ose me qindra vite, në këto toka multikulturore dhe multifetare ku jetojmë”.
Ndërsa kryetari i Shoqatës Ensar, Baki tha se dita e dhjetë e muajit Muharrem ka rëndësi të madhe për historinë Islame dhe të njerëzimit.
Ai tha se qëllimi këtu është të përjetësohet bashkimi, vëllazëria, dashuria dhe paqja.
Pas fjalimeve u bë shpërndarja e ashures për të pranishmit ndërsa pati edhe program kulturo-artistik.