Viteve të fundit, për shkak të rrethanave të ndryshme, letërsia shqiptare ka humbur hapin. Gjithnjë e më pak lexohet dhe sikur është lënë në duart e atyre që janë mjeshtër të abuzimit. Nuk kalojmë në ekstremin tjetër nëse themi se letërsia jonë ka filluar të mos e njohë veten…
Shkëlzen HALIMI, Shkup
Në libraritë tona, gjithandej hapësirave shqiptare, prezenca e letërsisë shqiptare, krahasuar me atë botërore, ka arritur në përmasat e simbolikës. Por, fatkeqësisht, ky konstatim nuk shqetëson askënd, as ata që merren me letërsi e as institucionet shtetërore (sidomos në Shqipëri e Kosovë). Ndonëse askujt nuk i bën përshtypje, kjo tregon se shqiptarët qëmoti ia kanë hapur dyert globalizmit, i cili në masë të madhe e ka margjinalizuar letërsinë tonë kombëtare. Natyrisht, me apo pa vetëdije, kësaj gjendje në masë të madhe i kontribuojnë edhe botuesit, të cilët e kanë kuptuar se përfitime më të shumta u sjellin autorët e huaj, të cilët autorë prapa vetes kanë edhe një makineri të madhe propaganduese. Ndaj, kur të kihen parasysh të gjitha këto rrethana, atëherë margjinalizimi i letërsisë sonë është i pashmangshëm. Që të shpëtohet shpirtërorja jonë, do të duhet veprim institucional dhe i koordinuar, pikërisht siç veprohet në shtetet të cilat e kanë të mbrojtur kulturën dhe artin nga ndikimet e jashtme, ndikime këto që gjithsesi prekin në identitetin kombëtar.
Sfidat e letërsisë shqiptare
Ndikimi i tregjeve globale dhe industrive të mëdha të medias ka bërë që të kemi një komercializim të letërsisë, ku vlerat estetike dhe kulturore të letërsisë kombëtare po shpërfillen në favor të veprave të përkthyera, të cilat bëhen “të lexueshme” vetëm në saje të një reklame të fuqishme, me të cilën, në forma të ndryshme “bombardohet” opinioni botëror. Ndikimi i globalizimit në letërsinë kombëtare është një çështje komplekse, i cili duhet trajtuar në mënyrë serioze, sepse është një thikë me dy tehe.
Si shumë letërsi të tjera kombëtare, edhe letërsia shqiptare është përballur me sfida dhe mundësi të ndryshme në kontekstin e eksperimentimeve. Postmodernizmi, me theksin e tij në relativizëm, pluralizëm dhe lojë me strukturat tradicionale, ka ndikime të rëndësishme në mënyrën se si krijohet dhe interpretohet letërsia. Postmodernizmi di të sfidojë dhe të shpërbëjë edhe strukturat dhe temat tradicionale të letërsisë. Në letërsinë shqiptare kjo ka çuar në eksperimentime me forma dhe teknika të reja, duke ofruar një mundësi për shkrimtarët që të eksplorojnë dhe të sfidojnë normat e zakonshme.
Postmodernizmi është i njohur edhe për shkak të influencave të ndryshme. Edhe shkrimtarët shqiptarë, në të kaluarën, në ndikimin e letërsive të ndryshme, kanë eksperimentuar me kombinimin e elementeve të ndryshme stilistikë dhe tematike, duke krijuar vepra që shpesh janë konsideruar fillimisht edhe si të paqarta, por që kritika u ka dhënë një hapësirë të veçantë ose vazhdojnë të studiohen e interpretohen edhe sot e kësaj dite (Martin Camaj, Anton Pashku, Teki Dërvishi, Beqir Musliu etj.)
Fatkeqësisht, viteve të fundit, për shkak të rrethanave të ndryshme, letërsia shqiptare ka humbur hapin. Gjithnjë e më pak lexohet dhe sikur është lënë në duart e atyre që janë mjeshtër të abuzimit. Nuk kalojmë në ekstremin tjetër nëse themi se letërsia jonë ka filluar të mos e njohë veten, ndaj dhe nocioni postmodernizëm në letërsi është nocion me shumë pikëpyetje.
Polarizimi i shoqërisë shqiptare
Cilat janë specifikat e letërsisë shqiptare në njësitë e ndryshme politike shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, mërgatë etj)? Letërsia shqiptare në të gjitha njësitë politike dhe diasporë duhet t’i reflektojë realitetet dhe sfidat e veçanta të konteksteve të ndryshme politike dhe shoqërore. Ajo do të duhet të ndihmojë në formimin e identitetit kombëtar dhe kulturor. Bashkëveprimi i letërsisë me shoqërinë duhet të jetë një proces i vazhdueshëm që ai ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në një botë gjithnjë e më të globalizuar dhe të ndryshuar. Por, fatkeqësisht, në këtë drejtim e vërteta është e hidhët. Polarizimi (politik) i shoqërisë shqiptare ka bërë që të kemi hendeqe të shumta, të cilat e mbajnë vulën shqiptare. Edhe përkundër ekzistimit të disa “shoqatave” dhe grupimeve të “shkrimtarëve”, megjithatë më nuk kemi shoqata të mirëfillta shkrimtarësh, siç ishin dikur. Që ironia të jetë më e madhe, sot në këto “shoqata e grupime” kemi më shumë amatorizëm, diletantizëm e injorancë. Sot nuk kemi as kritikë letrare, kurse me kritikë merren ata që nuk i njohin as elementet kryesore të teorisë letrare. Kemi arritur deri aty sa me kritikë letrare të merren disa injorantë, të cilët i afirmojnë edhe ata që për “shkrimtarë” nuk njihen as nga familjarët e tyre, e lëre më nga mëhalla e tyre.
Kaptinë në vete janë abuzimet me antologjitë, të cilat sajohen në bazë të grupimeve, simpative e qarqeve të ndryshme. Ose edhe më keq, përpilohet një antologji (si ajo e Rudolf Markut) e poezisë bashkëkohore, në të cilën nuk përfshihen poetë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Diaspora. Rreth kësaj pati dy-tre reagime dhe në fund të ditës ky skandal u hesht.
Përderisa në Shqipëri e Kosovë zhvillohet një jetë sado kudo letrare (përfshi edhe dy panairet e librit, të cilat duhet të pësojnë transformim rrënjësor), në Maqedoninë e Veriut përfundimisht nuk lexohet libri, pavarësisht faktit se kemi tre universitete shqiptare, një katedër të Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, një Akademi Pedagogjike, kemi më shumë se 500 “shkrimtarë”, me dhjetëra mijëra nxënës, mijëra e mijëra arsimtarë, profesorë, magjistra e doktorë, shumë promovime, manifestime letrare, kurse tirazhet e librave (që ia vlen të lexohen e që janë të paktë) janë thjesht simbolike. Kur gjithë kësaj t’i shtohet edhe kriza e thellë në sistemin e arsimit, atëherë mund ta kemi të qartë se pse sot një i diplomuar në fakultete të ndryshme nuk di ta shkruajnë as edhe një lutje të thjeshtë, për të mos thënë as një hartim shkollor.
“Etja” për botim
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një herë në vit, sapo të shpallen rezultatet e konkursit vjetor edhe për botimin e librit (gjithçka botohet e më së paku letërsi e mirëfilltë), për disa ditë ngrihet pluhur në shenjë të pakënaqësisë. Më të pakënaqur dhe më të zëshëm janë tregtarët shqiptarë (jo shkrimtarët shqiptarë), të cilët, çuditërisht, tregojnë një “etje” të jashtëzakonshme për botimin e librit, që as për së afërmi nuk është në proporcion me realitetin, saqë ta merr mendja se ata, ditë e natë, pa pushuar “lexojnë libra”. Ministria e Kulturës zakonisht përkrah mbi 100 tituj në gjuhën shqipe, të cilat tituj, fatkeqësisht, nuk di askush të tregojë se ku përfundojnë.
Çfarë në fakt ndodh? Rrëfimet urbane thonë se kjo “etje” për botim ka bërë që shumë persona juridikë të krijojnë një mirëqenie të lakmueshme ekonomike. Thonë se disa kanë blerë banesa, vila e banesa në bregdetin shqiptar, disa me vite të tëra, ndonëse nuk punojnë askund, përmes botimeve e manifestimeve sigurojnë rrogë mujore, kurse personat fizikë, zakonisht, me botimin e një libri, sigurojnë një pushim të mirë familjar gjatë verës. Çka nuk flasin “gojëkëqijtë”, të cilët gjithashtu thonë (natyrisht duke mbetur në sferën e spekulimeve) se në këto operacione financiare ka edhe sekserë, të cilët janë ndërmjetësues mes atyre që konkurrojnë e atyre që vendosin për fatin e librit. Një fjalë e urtë thotë “aty ku ka tym, ka edhe zjarr”. Andaj gjithçka është e mundur. Nga ky “gatim” që bëhet në katër sy më së shumti e pëson libri, letërsia dhe ata pak botues seriozë që kanë treguar se nuk janë të varur nga konkurset e tilla.
Por, që të ndahet shapi prej sheqerit, gjithsesi është e nevojshme të bëhet një prerje e thellë, përkatësisht një reformë serioze edhe në lëmin e botimeve, krejt kjo për ta vënë botimin e librit në binaret e duhura. Nuk është fshehtësi se shumica e zhvatësve të këtyre mjeteve, botimin e librave (botojnë nja 50 ekzemplarë, të cilat si të obligueshme dorëzohen në Bibliotekën Universitare të Shkupit dhe në Ministrinë e Kulturës, thjesht për ta dëshmuar realizimin e botimit) e bëjnë me anë të fotokopjeve. Krejt ky proces mund t’ju kushtojë 100 apo 150 euro, ndërkaq “fitimi” i pastër ndonjëherë sillet, për një titull, edhe mbi 2 mijë euro. Reforma mund të realizohet shumë thjesht: botuesit ose individët t’i botojnë librat, kurse një komision i posaçëm dhe i specializuar le t’i vlerësojë dhe le të propozojë për blerjen e së paku 100 ekzemplarë të një titulli, kuptohet me çmim të arsyeshëm që do t’i ndihmonte botuesit që sado kudo të mbulojë një pjesë të mirë të çmimit të shtypit. Po të ndodhte kjo, atëherë sakaq do të ndryshonte gjendjen dhe libri shqip do ta merrte të mbarën dhe nuk do të kishim botime me fotokopje, botime me përmbajtje të dyshimtë, botime të njëjta që janë botuar dy-tri vite me radhë, por me tituj të ndryshëm, nuk do të kishim botime me kopertina të lidhura mbrapsht e kështu me radhë. Tash mund ta kemi të qartë se përse kjo “etje” për të botuar libra, të cilat nuk e di askush të tregojë se ku përfundojnë.
“Shkrimtarët”e heshtur
Komunikimi i letërsisë shqiptare me letërsinë botërore ka evoluar dhe është bërë më dinamik në dekadat e fundit, për shkak të rritjes së mundësive për ndërveprim kulturor dhe shkëmbim global. Mbase letërsia shqiptare, në qarqet ndërkombëtare, u bë e njohur në saje të veprave të përkthyera të Ismal Kadaresë dhe të katër-pesë autorëve tjerë. Përkthimi është një nga mënyrat kryesore që letërsia shqiptare arrin të depërtojë në letërsinë botërore. Përkthimi i veprave të disa autorëve tanë cilësorë (fatkeqësisht, përkthehen edhe krijimet e disa individëve që nuk njihen në hapësirat shqiptare) në gjuhë të tjera mundësoi që lexuesit e huaj sado pak ta njohin dhe ta vlerësojnë krijimtarinë shqiptare. Ky komunikim, pra i letërsisë shqiptare me letërsinë botërore, do të ishte edhe më i plotë nëse mbi të ndjehet edhe dora e institucioneve relevante dhe e koordinuar e shteteve shqiptare, sepse, megjithatë, nevojitet përkrahje e madhe materiale. Pra, komunikimi i letërsisë shqiptare me letërsinë botërore duhet të jetë një proces i ndërsjellë dhe i shumëfishtë, që përfshin përkthimin, bashkëpunimin dhe përfaqësimin ndërkombëtar. Kjo do të ndihmonte në shtimin e njohjes dhe vlerësimit të letërsisë shqiptare në nivel ndërkombëtar, por dhe në promovimin e përvojave dhe perspektivave unike që ofron letërsia shqiptare.
Fati dhe roli i shkrimtarit në shoqërinë shqiptare janë të ndërlidhura ngushtë me kontekstin historik, politik dhe kulturor të vendit. Shkrimtarët shqiptarë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e kulturës dhe identitetit kombëtar, andaj ndikimi i tyre ndihmon në reflektimin dhe trajtimin e sfidave dhe aspiratave të shoqërisë shqiptare.
Është historik angazhimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, përfaqësuesit e së cilës u bënë zëri i vërtetë i gjithë asaj që ndodhi deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq ata pak shkrimtarë shqiptarë që jetonin dhe vepronin në Maqedoninë e Veriut thjesht zgjodhën të qëndrojnë margjinave të ngjarjeve të shumta, duke ua lënë vendin injorantëve, zejtarëve dhe ish komunistëve të devotshëm, që brenda natës u konvertuan në “demokratë”. Edhe sot e kësaj dite këtyre “shkrimtarëve” nuk u dëgjohet zëri për asgjë, ndonëse kultura e arsimi në këtë pjesë shqiptare është pothuaj në gjendje kome…
Shkrimtarët shqiptarë duhet të kenë një rol të shumanshëm dhe të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare. Ata janë pasqyra e realiteteve shoqërore dhe duhet të kontribuojnë në ruajtjen e kulturës dhe identitetit kombëtar. Letërsia ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet shoqërore dhe kombëtare gjatë historisë dhe ky rol vazhdon të jetë i rëndësishëm edhe në kontekstin e sotëm. Në të kaluarën, letërsia shpesh ka qenë boshti mbi të cilin janë ndërtuar zhvillimet shoqërore, duke reflektuar dhe formësuar identitetin dhe aspiratat e kombit.
Veprat letrare shpesh krijojnë narrativën kombëtare, duke pasqyruar historinë dhe mitologjinë e një kombi dhe duke ndihmuar në formimin e mënyrës se si një komb e sheh veten dhe historinë e tij. Kjo narrativë është e rëndësishme për ndërtimin e vetëdijes kolektive dhe për forcimin e ndjenjës së përkatësisë kombëtare.
Letërsia kontribuon në ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore. Ajo ndihmon në mbajtjen e gjallë të ngjarjeve historike dhe përvojave kolektive, si dhe në formimin e një identiteti të përbashkët që është i lidhur me të kaluarën dhe me traditat e një kombi. Edhe pse konteksti shoqëror dhe historik mund të ndryshojë, roli i letërsisë në ndihmën e zhvillimit të një shoqërie dhe në ruajtjen e vlerave dhe identitetit kulturor mbetet i rëndësishëm dhe i vazhdueshëm.