Ballina Autorë Opinione Shkrimtari i “magmës” shekspiriane

Shkrimtari i “magmës” shekspiriane

Bardhyl Zaimi

Gjithë letërsia e Kadaresë, në fakt, do të jetë një parabolë e sofistikuar letrare kundërvënëse ndaj këtij fataliteti historik shqiptar, që ngritej si një piramidë brutale kontrolli politik dhe zhdanovizmi letrar. Arratisja në mitet antike, në legjendat shqiptare, në periudha historike që krijonin paralelizmin me realitetin brutal komunist, do të jetë një imperativ letrar, një mbijetese e sofistikuar dhe njëkohësisht e rrezikshme e shkrimtarit përballë një ketmani shoqëror të kudondodhur të instaluar nga cerberët e kuq.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Rrugët krijuese janë të veçanta. Ato mund të zënë fill nga një moment suprem që mëpastaj e përcakton gjithë trajektoren e një shkrimtari. Mund të jetë një prekje e lehtë frymëzimi që shtresohet ngadalshëm si substancë letrare, por mund të jetë edhe një tronditje e thellë ontologjike që vjen rrufeshëm dhe e shkëput përgjithnjë shpirtin krijues nga një gjendje paraprake dhe e zhvendos në hemisfera tjera, të cilat shndërrohen në fat jetësor.

Në të shumtën e rasteve, shkrimtarët nuk arrijnë që të shpjegojnë fillimet e tyre, atë grishje krijuese që më pas shndërrohet në esencë të vetë ekzistencës së tyre në këtë botë. Me Kadarenë duket se ndodh e kundërta. Ai e di saktësisht se kur ka ndodhur kjo tronditje, kjo kthesë në jetën e tij, e cila do të shënojë fillimin e një trajektoreje letrare, të një opusi të gjithanshëm zhanresh të ndryshme letrare, por që do të sublimohet si përmasë universale në zhanrin e romanit, në këtë hapësirë letrare, që asimilon pafundësisht gjitha zhanret tjera.

“Në moshën njëmbëdhjetëvjeçare kisha lexuar ‘Makbethin’, që më kishte goditur si rrufe, dhe klasikët grekë, pas leximit të tyre asgjë tjetër nuk kishte pushtet mbi shpirtin tim. Ajo që po ndodhte në Elsinor ose pranë mureve të Trojës më dukej më reale se i gjithë banaliteti i mjerë i romaneve socrealiste”, thotë Kadare në një intervistë për “The Paris Review” në vitin 1998 dhe që është ribotuar me rastin e ikjes së shkrimtarit nga kjo botë.

Ky duket se ka qenë çasti vendimtar i trandjes ontologjike, i “shitimit” letrar, që do ta zhvendosë Kadarenë në një hemisferë tjetër të ekzistencës ose, më saktësisht thënë, të bashkekzistencës me letërsinë brenda njërit nga regjimet më diktatoriale në botë, regjimit komunist. Duket se ky është çasti vendimtar i fillimit të formësimit të tij krijues, por edhe fillimi i një “dyluftimi” të tmerrshëm mes gjithë asaj që përfaqëson letërsia si dimension i veçantë i jetës njerëzore dhe një rrëgjimi brutal që realisht synonte të kontrollojë edhe ëndrrat e njerëzve.

“Pallati i ëndrrave” mbetet romani emblematik, parabola më e sofistikuar letrare mbi një regjim që synonte të kontrollojë gjithçka në jetën njerëzore, që kërkonte ta përthithë tërësisht qenien njerëzore në skema të paravendosura, që përfundonin në majat e një piramide, aty ku qëndronte sovrani, urdhërdhënësi i Olimpit, ndëshkuesi i pamëshirshëm në emër të pushtetit popullor dhe të luftës së klasave.

Gjithë letërsia e Kadaresë, në fakt, do të jetë një parabolë e sofistikuar letrare kundërvënëse ndaj këtij fataliteti historik shqiptar, që ngritej si një piramidë brutale kontrolli politik dhe zhdanovizmi letrar. Arratisja në mitet antike, në legjendat shqiptare, në periudha historike që krijonin paralelizmin me realitetin brutal komunist do të jetë një imperativ letrar, një mbijetese e sofistikuar dhe njëkohësisht e rrezikshme e shkrimtarit përballë një ketmani shoqëror të kudondodhur të instaluar nga cerberët e kuq.

Pikërisht nga magma e këtij universi të largët, nga kulmet e letërsisë antike, më saktë të tragjedisë antike greke, nga legjendat dhe mitologjia shqiptare, dhe nga një ndër emrat më përfaqësues të letërsisë së përbotshme, siç është Shekspiri, Kadareja do ta krijojë universin e tij të eksplorimeve letrare, gjithë atë sagë romanesh, që në esencë do ta kenë metaforën, parabolën dhe alegorinë letrare antitotalitare. Ai e merr magmën krijuese pikërisht nga këto thellësi të kohërave, nga kjo traditë letrare botërore, nga mjegulla e legjendave shqiptare, për ta transponuar më pas në një polifoni origjinale, në një gërshetim autentik letrar botësh dhe personazhesh të shumëllojtë.

Pikërisht kjo shumëllojshmëri romanore përshkon gjithë trajektoren e veprës së Kadaresë, e cila që në krye të herës do të dallohet për nga struktura, gjuha, planimetria e personazheve, por edhe toposet letrare që mbeten tipike dhe të përftuara nga bota e mitologjisë, por edhe nga ngjarjet historike, që vijnë në formë parabolash dhe alegorish letrare. Nuk ka kohë konkrete në romanet e Kadaresë, por ka kohë të tejbartur që vjen të deshifrojë një kohë tjetër, kohën e komunizmit. Personazhet vijnë nga kohëra të ndryshme dhe bëhen pjesë të tekstit letrar, të një universi unik, që gjithnjë mbruhet nga magma e atyre tronditjeve fillestare shekspiriane dhe mjegullave mitologjike, toneve tragjike që shpërfaqen në tekstin letrar si dykuptimësi, si alert për gjithë atë ndrydhje njerëzore që ushtronte diktatura komuniste. Një aluzion letrar finok që zbërthente një kohë, që i bën autopsinë një regjimi, por që mbetet përhershmëri letrare për çfarëdo brutaliteti pushtetar.

Kadareja, sidomos me prozën e tij, për herë të parë i jep letërsisë shqipe përmasa europiane dhe botërore. Ai tejkalon kufijtë kombëtar, duke i dhënë letërsisë shqipe një status tjetër, statusin e letërsisë botërore. I përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës, romanet e Kadaresë tashmë janë pjesë e korpusit të madh të letërsisë së përbotshme, pjesë e universalitetit letrar.

“Me veprën e tij, sidomos me prozën, Ismail Kadare e nxori letërsinë shqipe përtej kufirit të ngushtë të gjuhës sonë, një gjuhë me numër relativ lexuesish dhe pa motra apo lidhje farefisnie”, shkruan akademik Shaban Sinani. Sipas tij, Ismail Kadareja e ktheu letërsinë në qytet, e shkëputi prej miteve romantike të vonuara, prej madhështimit të malit, malësorit, kullës, kanunit, duke i zëvendësuar të gjitha këto me Gjirokastrën, Tiranën, Moskën, Parisin; qytetarin që ka dalë prej kodit tradicional. “Ai e bëri letërsinë shqipe letërsi urbane. Kthimi i letërsisë në qytet pas një shekulli e gjysmë idilizimi të jetës në fshat dhe të virtytit kalorësiak, tipik për shoqëritë e mbyllura, është gjithashtu një ndryshim me karakter epoke, që shënjon një prej shkëputjeve progresive më të mëdha të letërsisë shqipe. Vetëm Migjeni kishte provuar ta sillte këtë ndryshim rendi në letërsi para Ismail Kadaresë”, shkruan akademik Shaban Sinani.

Sigurisht, vepra e Kadaresë mbetet shumëdimensionale dhe e shtrirë në zhanre të ndryshme letrare. Vepra e Kadaresë gjithnjë ka ngjallur kërshërinë e kritikës botërore, të cilët kanë rrokur gjithë ato dimensione që e bëjnë këtë vepër një univers letrar të papërsëritshëm.

“Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, të historisë, të pasionit, të folklorit, politikës dhe katastrofat e saj. Ai është një nga shkrimtarët universal, me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri”, shkruan kritiku britanik John Carey.

Gjithashtu Kadareja është krahasuar me Oruellin dhe Kafkën, por përtej këtyre krahasimeve, ai mbetet origjinal në prozën e tij, e cila si një monument letrar shtrihet përgjatë një kohe ekzistenciale që nga antikiteti dhe deri në kohët moderne.

“Me njërën këmbë në Shqipërinë e moçme, gojore dhe legjendare, ende në rrëqethjen homerike, dhe, me këmbën tjetër në modernitetin më të spikatur dhe më finok, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve, dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura”, shkruan shkrimtari francez Dominique Fernandez.

Janë këto vetëm disa nga vlerësimet mbi krijimtarinë e Kadaresë, që e vendosin atë në hemisferat e emrave më të mëdhenj të letërsisë botërore. Ai qëndron aty me plot dinjitet.

Universi origjinal letrar i Kadaresë tashmë ka vulën edhe të çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, të vlerësimit letrar në nivel të letërsisë së përbotshme, nga kritikë letrarë të shumtë anembanë globit. Ngrehina letrare e Kadaresë tashmë denjësisht përfaqëson potencën e letërsisë dhe kulturës shqiptare në sheshin e madh të letërsisë botërore. Si një ndër shkrimtarët më të përkthyer shqiptar, por jo vetëm, Kadareja përfaqëson gjenin krijues shqiptar, universin e padiskutueshëm kulturor të shqiptarëve me gjithë thellësinë historike, me gjithë trazimet dhe eklipset shekullore, që do të ngriten si një metaforë e madhe e ekzistencës, e mbijetesës, e përvijuar gjithnjë si një kundërvënie tekstore-letrare ndaj diktaturës më staliniste në botë, siç ishte Shqipëria në periudhën e regjimit të tmerrshëm komunist.

Procedimi letrar i Kadaresë shtrihet në një diakroni marramendëse epokash, në një hapësirë mitologjike, prej nga ai merr materialin e nevojshëm për ta transponuar mëpastaj në art universal letrar. Është prekja maestrale e gjeniut krijues që këtyre eklipseve historike mëpastaj iu jep tonet e rrëfimit, të stilit të tij, që në letrat shqipe dhe më gjerë mbetet vulë e një përmase të jashtëzakonshme letrare. Kadareja mbetet një univers përhershmërie letrare shqiptare dhe botërore. Opusi i tij i shumëdimensional letrar mbetet një matricë tekstore, stilistike, për t’u studiuar edhe në të ardhmen në gjithë gjerësinë e reprezentimit, në zhanrin e romanit, poezisë dhe eseistikës.

Exit mobile version