Sot secili njeri që është në gjendje t’i rimojë dy rreshta ka mundësi që ta promovojë veten si poet e shkrimtar dhe pastaj familja, farefisi e shoqëria ta qerasin me “llajka” të panumërta. Në këtë mënyrë, vjen deri te situata që, pa pritur e pa kujtuar, ai të marrë epitetin e shkrimtarit të famshëm të lagjes, të fshatit a qytetit! Madje ka mundësi të merr online edhe ndonjë certifikatë mirënjohjeje nga miqtë e tij të fejsbukut prej Indie a Bangladeshi dhe të shpallet “poet ndërkombëtar”!
Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Shkrimtarët, në një kuptim më të përgjithshëm, përbëjnë një hallkë të rëndësishme në zinxhirin zhvillimor të shoqërisë njerëzore nëpër mijëvjeçarë. Pena e tyre e artë ka siguruar ruajtjen e kujtesës kolektive historike të njerëzimit, duke përcjellë ngjarje e fate njerëzish dhe duke i bërë ata të përjetshëm dhe të përtejkohshëm.
Pa dyshim, kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm në procesin e formimit, ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kulturore dhe identitare të popujve të botës, gjithnjë duke qenë avangardë e zhvillimeve të reja pozitive shoqërore. Duke qenë të prirë më shumë drejt perspektivës, shpeshherë të panjohur dhe të pakuptueshme për shumicën e turmës dhe pushtetit, ata shpeshherë janë vënë në kundërthënie direkte me sistemin sundues shoqëror. Prandaj dhe nuk është i vogël numri i shkrimtarëve që janë vënë në turrën e druve, para gijotinës, prapa grilave të hekurta apo nëpër llogoret e internimit. Por në rrethana të caktuara historike, veçanërisht në shekujt e fundit, shumë shkrimtarë kanë pasur fatin edhe të drejtojnë qeveri e shtete kombëtare, duke u bërë zëri kryesor i ndërgjegjes së përgjithshme shoqërore.
Shkrimtarët politikanë
Gazetarët, publicistët e shkrimtarët, rëndom e kanë të njëjtin brumë që e “mbllaçitin” – fjalën e shkruar, me të cilën e shtrijnë ndikimin e tyre në opinionin publik. Ata janë prore opozitë e nënkuptuar ndaj pushtetit, meqë delli i tyre intelektual është i destinuar që të gjitha gjërat t’i vështrojë në prizmin e dyshimit, nga i cili lind progresi, shkenca, zhvillimi. Këtë rol shpeshherë nuk janë në gjendje ta kuptojnë pushtetarët, të cilët nuk përtojnë që t’i stigmatizojnë dhe t’u shpallin luftë të hapur shkrimtarëve për të vërtetat e tyre që i shpërfaqin publikisht. Pra, në vend se t’i falënderojnë dhe t’u jenë mirënjohës për detektimin e gabimeve ose mangësive të caktuara në procesin e politikëbërjes, ata nisin t’i etiketojnë dhe t’u përshkruajnë llojlloj akuzash e ngjyrimesh politike në stilin se i ka nxitë partia X a Y, filani a fisteku! Ndërkaq, e vërteta është krejt ndryshe – meqë derisa politikani pushtetar është i destinuar të besojë verbërisht dhe të mbrojë pa ekuivokë qëndrimet e caktuara koniunkturale politike, intelektuali i mirëfilltë (në këtë rast në rolin e shkrimtarit) është i destinuar ta thotë të vërtetën reale dhe objektive, qoftë ajo edhe e hidhur për dikë, kjo s’ka rëndësi fare – e vërteta duhet të thuhet troç, i pëlqen dikujt apo jo!
Tjetra, gazetarët, publicistët e shkrimtarët janë avangardë e proceseve zhvillimore në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Janë ata që shpeshherë u japin kahe proceseve kryesore shoqërore në momente kyçe të historisë, madje duke veshur edhe petkun e politikanit aktiv. Rastet kur shkrimtarë të shquar janë vënë në ballë të shtetit dhe popullit janë të shumta, sikur që kemi edhe shumë raste kur shkrimtarë të shquar nuk kanë pranuar ta veshin petkun e politikanit, duke mos pranuar përgjegjësi politike-shtetërore.
Shembuj nga historia e afërt
Klasa shoqërore intelektuale, e në veçanti shkrimtarët e mirëfilltë, patën rol themelor në demolimin e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi, në fillim të viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar. Shkrimtarët sllovenë të parët e projektuan shkëputjen e republikës së tyre nga Jugosllavia me të ashtuquajturën “Kushtetuta e Shkrimtarëve”! Shkrimtarët kroatë po ashtu patën rol vendimtar në themelimin e HDZ-së së Tuxhmanit. Ky i fundit edhe vetë ishte njeri i lapsit, duke bërë paraprakisht një karrierë të suksesshme akademike nga fusha e shkencave historike, politike dhe ushtarake. Po ashtu edhe në Bonjë e Hercegovinë, luftës për pavarësi nga Jugosllavia i parapriu një disident i njohur antikomunist dhe antijugosllav, përmes partisë së parë myslimane në ish Jugosllavi (Partia e Aksionit Demokratik), i cili e kishte edhe vokacionin e shkrimtarit – Alija Izetbegoviq. Libri i tij i njohur “Islami ndërmjet lindjes dhe perëndimit” (1984) u përkthye në shumë gjuhë të botës dhe vlerësohet si një nga botimet më të mira në Ballkan dhe më gjerë për tematikën e ndjeshme që trajton.
Në Kosovë tashmë dihet që partia e parë politike pluraliste – Lidhja Demokratik e Kosovës (LDK) u ngjiz në zyrat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila drejtohej nga Ibrahim Rugova – shkrimtar dhe studiues i njohur i letërsisë së vjetër shqiptare. Faktikisht, ata që e drejtuan Kosovën deri në periudhën e luftës së armatosur të UÇK-së në fund të viteve të ‘90-ta, shumica ishin shkrimtarë të shquar, të cilët morën përgjegjësi konkrete politike në drejtimin e fatit të popullit të robëruar. Agjenda e tyre paqësore u tregua shumë e drejtë deri në momentin që Serbia ia tregoi botës të gjitha ligësitë e veta, me krimet e kryera kundër popullsisë së pafajshme kroate, boshnjake e shqiptare, për qëllimet e veta hegjemoniste. Rezistenca paqësore që e shtyu përpara për gati një dekadë shkrimtari dhe politikani i njohur Ibrahim Rugova, mundësoi organizimin e mirëfilltë të rezistencës aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me ndihmën e NATO-s e shporri makinerinë vrastare serbe jashtë Kosovës më 1999.
Fati i shkrimtarit sot
Në këto dy dekadat e fundit, si rezultat i zhvillimeve të shpejta tekniko-teknologjike dhe i procesit të globalizimit njëkohësisht, ka ndryshuar rrënjësisht perceptimi për të gjitha profesionet e mundshme. Tani kur secili njeri në xhep e ka nga një aparat telefonik të mençur, atij apriori i është mundësuar të ketë më shumë role në shoqëri ose të arrijë deri te rolet e caktuara. Kështu, sot secili njeri ka mundësi që, pavarësisht se ku ndodhet, njëkohësisht ta ushtrojë edhe detyrën e lajmëtarit, duke ndarë informacione me publikun dhe shoqërinë e tij nëpër rrjete sociale në çdo moment të dëshiruar.
Sot secili njeri që është në gjendje t’i rimojë dy rreshta ka mundësi që ta promovojë veten si poet e shkrimtar dhe pastaj familja, farefisi e shoqëria ta qerasin me “llajka” të panumërta. Në këtë mënyrë, vjen deri te situata që, pa pritur e pa kujtuar, ai të marrë epitetin e shkrimtarit të famshëm të lagjes, të fshatit a qytetit! Madje ka mundësi të merr online edhe ndonjë certifikatë mirënjohjeje nga miqtë e tij të fejsbukut prej Indie a Bangladeshi dhe të shpallet “poet ndërkombëtar”!
Meqë në demokraci është liberalizuar edhe tregu i shtypit, tani në çdo qytet ke me dhjetëra shtëpi botuese e shtypshkronja të cilat merren me shtypin e librave, duke promovuar shkrimtarë të rinj e të stisur gjithandej. Edhe politikat kulturore të viteve të fundit kanë stimuluar shumë shkrimtarë të këtij lloji, që lehtësisht të promovohen pa asnjë kriter, duke ua financuar botimet e tyre me mjete buxhetore shtetërore, dhe duke krijuar kështu stiva të pazakonshme të titujve dhe librave të palexuara asnjëherë nga askush.
Tani është një temë e veçantë dhe e vështirë për t’u bërë klasifikimi i shkrimtarëve të mirëfilltë nga ata që eksperimentojnë me fjalën e shkruar dhe për të parë kontributin e gjithësecilit prej tyre në proceset shoqërore. Prandaj, kur shohim shtimin e këtyre lloj shkrimtarëve të fundit në shoqërinë tonë, na shkon mendja te denoncimi i Platonit me idetë e tij për shtetin ideal të periudhës antike, duke e parë rolin e shkrimtarit si tejet “negativ, spekulativ dhe mashtrues”!
Por, natyrisht, që jo të gjithë shkrimtarët e sotëm, qoftë edhe ata të stimuluar nga inteligjenca artificiale, kanë një dimension të tillë shoqëror. Edhe sot kemi shkrimtarë të denjë që mbajnë përgjegjësi për fjalët publike dhe që nuk shkruajnë kot sa për të marrë “llajka” ose poste politike, por për të krijuar vlera të mirëfillta në nivele të duhura artistike përmes artit të shkrimit letrar. Të tillët gjithmonë duhet ta kenë trajtimin e duhur të sistemit politik-shtetëror, edhe atëherë kur shkruajnë kundër tij! /revistashenja