Sot, ish ndërtesa e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e rindërtuar, shërben si muzeu i pavarësisë së Kosovës. As në atë muze e as në Kosovën e pavarur roli i shkrimtarëve nuk është vlerësuar. Nuk është gjetur vend për ta në narrativën e re të shtetit të Kosovës. Nuk u kërkohet dëgjueshmëri ndaj shtetit, për të cilin ngulmonte Platoni, por autorësia mbi projektin e pavarësisë u është injoruar. Në Kosovën e pavarur ata janë lënë të jenë të lumtur në mjerimin e tyre, saktësisht si në çdo vend ku e bën ligjin logjika neokoloniale.
Milazim KRASNIQI, Shkup
Secila nga hipotezat që më janë dërguar për temën e këtij numri të Shenjës mund të shndërrohej në temë me interes për ta trajtuar raportin e letersisë sonë me shoqërinë, me historinë, me kohën në të cilën jetojmë, me botën që na rrethon. Për ta bërë edhe më aktuale e më komplekse temën, do të mund të kërkonim edhe raportin e letërsisë shqipe me gjuhën shqipe (strandardin dhe dialektet), raportin e letërsisë sonë me besimet fetare dhe me atifetarizmin, marrëdhëniet me mitologjitë e bestytnitë, raportin e saj me politikat qeveritare, çështjen e ndikimeve të panatyrshme që kanë pasur mbi letërsinë shqipe letërsinë e fqinjëve, sidomos të sllavëve të jugut e të grekëve, si fqinjë të dhunshëm, ndikimet e letërsive të mëdha, si dhe rolin e shkrimtarëve në jetën kulturore e kombëtare. Mirëpo, kjo qasje e zgjeruar do ta bënte edhe më të pamundur trajtimin e kësaj problematike brenda një trajtimi publicistik. Përtej mundësive të kufizuara të trajtimit në këtë rast, mbetet aktuale dhe e rëndësishme ideja që letërsia jonë të trajtohet në të gjitha këto nivele e relacione. Pse? Sepse ajo edhe është produkt i dinamikave dhe i aksidenteve kulturore, shoqërore e kombëtare, i traditave dhe trashëgimive nga e kaluara, i ndikimeve të letërsive e kulturave të tjera, i veçantive stilistike të rrymave religjioze (fjala vjen, Kundëreformës e Kultusprotektoratit) dhe formacioneve të ndryshme stilistike (romantizmit, realizmit, simbolizmit, natyralizmit, socrealizmit, postmodernizmit etj.). Dhe, mbi të gjitha, i rolit që kanë vetë shkrimtarët, sidomos në periudha të formësimeve identitare e të kthesave tronditëse historike. Kësaj radhe këtë aspekt do ta trajtoj, ndonëse në mënyrë krejt sipërfaqësore.
Roli i shkrimtarëve shqiptarë në kombformim ishte evident
Lidhur me rolin e shkrimtarit në sferën publike, shqetësimet e para na vijnë që nga Platoni, gjë që vetvetiu shndërrohet në provë të ekzistimit të një problemi në raportin e shkrimtarit me shtetin e me shoqërinë. Platoni i shihte poetët si rrezik për shtetin ideal. Nëse ata nuk do t’u përmbaheshin kufizimeve (“në shtetin tonë mund t’i pranojmë vetëm ato këngë që janë himne perëndive dhe fjalime lavdëruese të dedikuara të mirave”), propozonte që të dëboheshin nga shteti. Nxënësi i tij i famshëm, Aristoteli, pati shkuar edhe më larg në denoncimin e tij ndaj poetëve, duke thënë se “është vënë re se poetët e njohur, artistët dhe politikanët, kanë qenë ngapak melankolikë, ngapak të sëmurë shpirtërisht e ngapak mizantropë.” Në të dyja rastet mund të hetohen denoncimi dhe paragjykimi se poetët kanë ndikim dhe janë të angazhuar, ndërsa natyra e tyre paraqitet si problematike në kontekstin e normave shtetërore, shoqërore e morale. Ajo farë e denoncimit dhe e paragjykimit, e mbjellë nga Platoni e nga Aristoteli, ka vazhduar të jetë aktive përgjatë gjithë historisë, ndonëse në variacione të ndryshme. Shkrimtarëve u është pranuar roli e ndikimi, por edhe u janë vendosur kufizime, që nga censura e deri te burgosjet ose edhe likuidimet fizike. Por, shumë prej tyre i kanë kapërcyer ato kufizime, si me angazhimin e vet, ashtu edhe me vlerat e veprave artistike që kanë shkruar, duke kontribuuar në emancipimin shoqëror, e sidomos në forcimin e identitetit gjuhësor e kombëtar.
Ndonëse nuk më ka rënë në asnjë rast të lexoj ndonjë studim për rolin e shkrimtarëve në formimin e kombeve, me gjasë roli i tyre ka qenë shumë i madh, e pakta në fazat fillestare të formimit të kombeve. Kjo vlen veçmas për kontinetin tonë dhe sidomos për kombet e vogla, të cilat nuk kishin një borgjezi të fuqishme dhe një shtet të fuqishëm burokratik. Në këtë grup kombesh bie edhe kombi shqiptar. Shkrimtarët shqiptarë të periudhës së Rilindjes Kombëtare, në aleancë me patriotë të tjerë, që ishin në radhët e burokracisë së shtetit osman dhe të bejlerëve brenda Shqipërisë, vërtet patën ndikim të rëndësishëm në profilizimin e projektit të formimit të kombit shqiptar. Shkrimtarë e publicistë, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Konstandin Kristoforidhi, Jeronim De Rada, Koto Hoxhi, Papa Kristo Negovani, Dora D’Istria, Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Gjergj Fishta e të tjerë, me angazhimet konkrete dhe me veprat e tyre letrare e publicistike kontribuuan në atë proces të vështirë të kombformimit shqiptar. Meqë pjesa vendimtare e aktiviteteve të tyre ishte në periudhën e reformave të Tanzimatit e tutje, të cilat ishin të lejuara nga Porta e Lartë dhe të mbikëqyrura nga Fuqitë e Mëdha, ose edhe të Kultusprotektoratit austriak e rus mbi të krishterët e Ballkanit, ata patën hapësira maskuese për angazhimet e tyre dhe realisht nuk u penalizuan për ato angazhime. Mjafton të kujtohet si ilustrim poema “Istori e Skenderbeut” e Naim Frashërit, e cila ishte e sforcuar me sulme ndaj sundimit osman, me theks ndaj turqve, por vetë autori nuk pati ndonjë pasojë. Po ashtu, Pashko Vasa e Sami Frashëri hartuan traktate për formimin e kombit dhe të shtetit kombëtar shqiptar, por vazhduan të jenë zyrtarë të administratës shtetërore. Sigurisht mund të kenë qenë të survejuar, por jo të përndjekur në formën që e kërkonte Platoni shumë shekuj më parë. Ndërsa roli dhe pozita e shkrimtarëve në shtetin e pavarur shqiptar pastaj ka kaluar nëpër batica e zbatica, veçmas në kohën e diktaturës staliniste. Kulminacioni i ndikimit të shkrimtarit në denoncimin e diktaturës staliniste ka qenë arratisja e Ismail Kadaresë në vitin 1990.
“Uh bir, si mundet edhe shqiptar edhe poet?”
Po fati dhe roli i shkrimtarit shqiptar në Kosovë dhe në viset që mbetën nën okupimin sllav si ishte? Nëse mund të krijohet një lloj analogjie, e cila sigurisht që çalon shumë, shkrimtarët shqiptarë të Kosovës dhe letërsia shqipe e shkruar në Kosovë, veçmas në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë, mund të asocojë me rolin e shkrimtarëve dhe të letërsisë shqiptare në kohën e Rilindjes Kombëtare, pas Kongresit të Berlinit, kur filloi amputimi dhe dekompozimi i Shtetit Osman, proces brenda të cilit shqiptarët u ndjenë direkt të rrezikuar. Dështimi i projektit politik të Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur tokat shqiptare e për të formuar shtet kombëtar, në vitet që pasuan nga rilindasit u kompensua me lulëzimin e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare, e cila u bë tharmi kulturor i kombformimit shqiptar. Pak a shumë ngjashëm ka ndodhë në Kosovë, ku brenda ish federatës jugosllave, pas decentralizimit të saj me Kushtetutën e vitit 1974, pati një koncentrim në lëvizjen arsimore e kulturore, e cila më kohë i prodhoi edhe elitat që e udhëhoqën Kosovën drejt çlirimit. Ajo ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, në të cilën shumë shkrimtarë e paguan rezistencën e tyre me burgje shumëvjeçare, me censurë e, në disa raste, edhe me jetën e tyre. Në të vërtetë, vetë fillimi i letërsisë shqipe në ish Jugosllavi ishte një ndërmarrje e vështirë. Lidhur me perceptimin për shkrimtarin shqiptar në ish Jugosllavi, para më shumë se tri deceniesh e kam dëgjuar një rrëfim nga poeti Q.U., i cili në atë kohë kishte qenë student në Beograd. Në pyetjen e një zonje plakë se me ç’punë merrej, kur ai i kishte thënë se ishte poet, plaka e hutuar, kishte komentuar: “uh, bir si mundet edhe shqiptar edhe poet?!”. Kjo dilemë e saj buronte nga paragjykimet për shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë. Siç i ka përjetësuar dhimbshëm Esad Mekuli në poezinë “More vlla me sharrë në krah”, ata ishin të varfër, të pashkollë, me shëndet të rrënuar. Ndërsa në kujtimet e Esad Mekulit gjenden shumë të dhëna për statusin e tij si poet shqiptar, i cili në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore shkruante e botonte vetëm serbisht, sepse gjuha shqipe ishte e ndaluar. Ndërsa në Jugosllavinë socialiste nuk ishte e ndaluar, por ishte tmerrësisht e kontrolluar.
Vështrirësia e atij misioni më së miri mund të shihet në kuadër të rivaliteteve e konflikteve në kuadër të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, një organizatë gjigande shkrimtarësh, me fonde e ndikim marramendës në shoqëri. Pra, jo në vetë letërsinë artistike. Pse? Sepse në vitin 1952, në kongresin e shkrimtarëve në Lubjanë, ishte proklamuar zyrtarisht pluralizmi stilistik, ashtu që liria stilistike nuk ishte e cënuar as në Kosovë. Ishte e cënuar përkatësia kombëtare shqiptare e shkrimtarëve, por jo statusi i veprave të tyre letrare, të cilat, duke shfrytëzuar pluralizmin stilistik, aplikonin liritë stilistike, por duke pasur si kufi të fortë autocensurën.
Muzeu i pavarësisë – muze i injorimit
Roli më i madh i shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës filloi të dilte në pah në mesin e viteve të tetëdhjetë, kur sistemi socialist dhe struktura federale jugosllave filluan të shfaqnin shenjat e krizës. Reformat po proklamoheshin, por ato ishin të kundërvëna, e jo njëdrejtimëshe e gjithëpërfshirëse, siç kishin qenë reformat e dikurshme të Tanzimatit në shtetin osman. Republikat veriore jugosllave po kërkonin demokraci e decentralizim, ndërsa Serbia po kërkonte forcimin e sistemit komunist dhe etatizmin. Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë (SHSHS) u shndërrua menjëherë në grusht të hekurt të politikës shoveniste të Millosheviqit, duke e konkurruar seriozisht për primat Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve dhe Kishën Ortodokse Serbe. Brenda atij projekt serbomadh, në vitin 1986 SHSHS-ja e propozoi për kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë eksponentin e vet më brutal, Miodrag Bullatoviqin. Në kongresin e mbajtur në Maribor të Sllovenisë, propozimi u refuzua nga sllovenët, nga kroatët dhe nga shqiptarët. Ashtu filloi një luftë e ashpër ideologjike, propagandistike dhe politike e makinerisë serbe, veçmas kundër shkrimtarëve shqiptarë dhe kundër Kosovës. Në prill 1988 u mbajtën bisedat ndërmjet shkrimtarëve serb e shqiptarë në Beograd me temën “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot”. Ajo ishte përplasja më e madhe publike e shkrimtarëve shqiptarë e serbë, nga e cila shkrimtarët shqiptarë qartësisht dolën triumfues. Në ato biseda shkëlqyen me kumtesa e me polemika Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Hasan Mekuli, Besim Bokshi, Azem Shkreli, Ali Aliu, Sabri Hamiti е Jusuf Buxhovi. Bisedat në Prishtinë nuk u vazhduan, siç kishte qenë marrëveshja paraprake, për shkak të vlerësimeve politike në Prishtinë, po edhe në Beograd. Kongresin pasues në Varazhdin, Serbia praktikisht e bojkotoi, ndërsa në kongresin e Gjevgjelisë, në tetor 1988, e ndërroi kandidatin, i cili edhe u zgjodh, por kongresi nuk i përfundoi punimet dhe pas pak ditësh u shpall largimi i sllovenëve kroatëve e shqiptarëve nga Lidhja e Shkrimtarëve të Jugosllavisë. LSHJ-ja ishte organizata e parë federative që u shpërbë. Disa e kanë quajtur “ballon provues” për shpërbërjen e ish Jugosllavisë. Nuk e di a ka qenë rastësi ose simbolikë fakti që kam qenë folësi i fundit në foltoren e atij kongresi. Meqë m’u mor fjala nga kryetari i sapozgjedhur, Sllobodan Seleniq, ndërsa unë vazhdoja të qëndroja në foltore, u krijua rrëmujë. Seleniqi deklaroi se po i mbyllte punimet e kongresit ndërsa rezoluta do të dërgohej për miratim më vonë. Pra, u mbyll pa miratimin e rezolutës, që do të thotë u ndërpre.
Që nga ajo ditë, shkrimtarët shqiptarë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, nga ku ishin larguan shkrimtarët serbë e malazezë, e vazhduan veprimtarinë jashtë Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe u shndëruan në adresën kryesore të refuzimit publik të politikës që vinte nga Beogradi. Brenda këtij asociacioni dhe në lokalet e tij u formuan pastaj organizata si Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Lidhja Demokratike e Kosovës, ku disa shkrimtarë patën rol vendimtar (Ibrahim Rugova, Ibrahim Berisha, Jusuf Buxhovi, Xhemail Mustafa, Mehmet Kraja, Ali Aliu, Basri Çapriqi, Ramiz Kelmendi, autori i këtij teksti etj.) Po në atë objekt u formua dhe veproi edhe Këshilli Koordinues i Partive Shqiptare në Jugosllavi. Objekti i shkrimtarëve u bë edhe selia e presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, i cili vazhdoi të ishte kryetar i shkrimtarëve deri në gusht të vitit 1999. Si për simbolikë të rolit që kishin shkrimtarët shqiptarë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pesë figura emblematike të SHSHK-së, Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Rexhep Qosja, Adem Demaçi e Bajram Kosumi, ishin edhe kryetarë partish politike. Rugova e Qosja ishin edhe firmëtarë në Marrëveshjen e Rambujesë.
Jo për simbolikë, po për hakmarrje, ndërtesa e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës u dogj deri në themele nga policia serbe më 24 mars 1999, natën kur filluan bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë (Serbisë). Ishte hakmarrje e shtetit serb ndaj shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët me angazhimet e tyre të mençura e të guximshme publike në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë kundër projektit serbomadh e lemeritën edhe Serbinë, e lëre më atë plakën beogradase, e cila nuk kishte mundur ta kuptonte se si mund të ishte njeriu edhe shqiptar e edhe shkrimtar.
Sot, ish ndërtesa e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e rindërtuar, shërben si muzeu i pavarësisë së Kosovës. As në atë muze e as në Kosovën e pavarur roli i shkrimtarëve nuk është vlerësuar. Nuk është gjetur vend për ta në narrativën e re të shtetit të Kosovës. Nuk u kërkohet dëgjueshmëri ndaj shtetit, për të cilin ngulmonte Platoni, por autorësia mbi projektin e pavarësisë u është injoruar. Në Kosovën e pavarur ata janë lënë të jenë të lumtur në mjerimin e tyre, saktësisht si në çdo vend ku e bën ligjin logjika neokoloniale. /revistashenja
Prof. Milazim Krasniqi