Ballina Autorë Opinione Shkrimtar i madh apo njeri i madh?

Shkrimtar i madh apo njeri i madh?

Nuredin Nazarko

Qëndrimet morale janë nga më të rëndat për shpirtin njerëzor, sidomos kur guxon të thuash të drejtën në sy të tiranit, pushtetit të korruptuar. Në të tilla raste, njeriu tregon qartë anën së cilës i përket. Qëndrimet që mban njeriu dëshmojnë njeriun. Kush ka guxuar të kundërshtojë tiraninë, ka qenë i vetëdijshëm për pasojat. Këta “të çartur” janë heronjtë, të cilëve tirania iu përgjigj duke i lënë në hije gjithë jetën, duke i izoluar, duke i hedhur pas hekurave apo duke paguar me shpirtin e tyre të lirë çmimin e kundërshtimit.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Jemi në konkurrencë me të gjallët dhe jo me të vdekurit – shkruante dikur filozofi anglez Hobs, por nuk është kusht që kush ikën prej kësaj bote ta lemë në harresë, aq më tepër kur idetë, mendimet dhe vepra e një personi vazhdojnë të ndikojnë edhe pas vdekjes.

Ikja nga kjo botë nuk është as herët, as vonë. Njeriu nuk mund ta zgjedhë çastin e ikjes, ashtu si nuk zgjedh as çastin e ardhjes. Njeriu mund të zgjedhë mënyrën se si do të ndërtojë jetën e tij mes ardhjes e ikjes. Kjo është liria që i është dhënë njeriut.

Njeriu jeton brenda trinomit, fjalë – vepër – përgjegjësi. Njerëzit dallohen prej njëri-tjetrit në sajë të fjalës që thonë, veprës që kryejnë dhe përgjegjësia si qenie në raport me fjalën dhe veprën. Njeriu edhe mund të zgjedhë të jetojë sipas mënyrës ç’më duhet mua se ç’bëj unë, por a është kjo një zgjedhje që tregon përgjegjësi dhe peshë të ndërgjegjes? Koha është gjykatësi që nuk korruptohet. Përgjatë saj njeriu zbulon, ndërton dhe shpërfaq vetveten.

Në ditë të paqta të gjithë duken të mirë. Porsa deti i jetës egërsohet dhe jetesa e përditshme bëhet e vështirë, atëherë fillojnë e diferencohen karakteret njerëzorë prej njëri-tjetrit. Në ditë të vështira kthjellohen ujërat e turbullt që enden në ndërgjegjen njerëzore. A do të qëndrojë njeriu në anën e së mirës, së drejtës dhe virtyteve, qoftë edhe duke sakrifikuar prej mirëqënies personale apo do të zgjedhë mirëqënien personale dhe familjare duke heshtur apo duke u bërë palë me të keqen?

Qëndrimet morale janë nga më të rëndat për shpirtin njerëzor, sidomos kur guxon të thuash të drejtën në sy të tiranit, pushtetit të korruptuar. Në të tilla raste, njeriu tregon qartë anën së cilës i përket. Qëndrimet që mban njeriu dëshmojnë njeriun. Kush ka guxuar të kundërshtojë tiraninë, ka qenë i vetëdijshëm për pasojat. Këta “të çartur” janë heronjtë, të cilëve tirania iu përgjigj duke i lënë në hije gjithë jetën, duke i izoluar, duke i hedhur pas hekurave apo duke paguar me shpirtin e tyre të lirë çmimin e kundërshtimit.

Fama është sfidë për njeriun, veçanërisht kur ai është ende gjallë. Ajo përdridhet rreth egos dhe mban ndezur luftën në brendinë e tij që zhvillohet mes, të mbajë më këmbë piedestalin ku më kanë ngritur apo të qëndroj me dëlirësinë dhe koha të më çojë atje ku e meritoj qoftë edhe pas vdekjes. Njeriu është egoist, individualist, por kur këto ushqehen nga etja për famë medoemos shndërrohen në një gropë thithëse të njerëzillëkut dhe pasandaj njeriu detyrohet të bëjë kompromise me egon duke përjashtuar virtytet, drejtësinë, nga vendimet që i duhet të marrë. Vendimet që merren pa u këshilluar me virtytet nuk rezultojnë të drejta, as afër së vërtetës, por gjithmonë përputhen me interesat meskinë.

Të kesh një piedestal sa je gjallë nuk është kusht që të jesh i pranueshëm dhe i vlerësuar nga shoqëria. Sa e sa njerëz kemi që mbartin vlera të jashtëzakonshme, por vetëm sepse nuk kanë bërë kompromiset “e duhura” kanë mbetur në hije, nuk janë sponsorizuar, nuk janë mbështetur dhe nuk është folur kurrë për ta dhe veprën e tyre. E nëse të mbështet një makineri e tërë shtetërore, të sponsorizon, të hap dyert, të ngre në lartësi që ndoshta nuk i ke menduar kurrë a thua je meritor apo kësaj makinerie i duhen disa njerëz me aftësitë e të cilëve bën kompromise me moton, nëm të të jap, dhe pasandaj hyn në një qerthull prej të cilit edhe të duash nuk arrin të shkëputesh dot.

Në këtë jetë gjëja më e shpejtë dhe më e zakonshme që bën njeriu është kritika ndaj tjetrit. Njeriu është qenie që gabon, për rrjedhojë ka gjithmonë vend për kritikë dhe për përmirësim. Njerëzit kur kritikojnë shpesh merren me detaje të jetës së përditshme të atij që kritikohet dhe shmangin thelbin mbi të cilin duhet bërë kritika, qëndrimi i njeriut në raport me të drejtën. Fama, emri i madh, nderimet, çmimet e dhëna nuk pinë ujë për të mos lejuar kritikën, kur merr anën e shpërblimeve prej tiranisë.

Ka njerëz që duan të marrin famë duke kritikuar një të famshëm, apo duke e lavdëruar më shumë se ai/ajo do të donte të lavdërohej. Nuk mund të merremi me qëllimet e njerëzve e as të mundohemi të zbulojmë ç’mbajnë zemrat e tyre. Është e sigurtë se në rrjedhën e kohës do të vetëdëftohen. Qëndrimi kritik ndaj veprës së një autori nuk i bën dëm, madje diskutimi që do të zhvillohet do të nxjerrë mendime, ide, apo mesazhe të reja që syri i admiruesve e ka vështirë t’i shohë. E nëse ndalohet kritika ndaj veprës të bëjë punën e vet, pa qëllim dashakeqës, atëherë diçka nuk shkon, diçka duhet të lihet në heshtje.

Kushdo që nxjerr në dritë një vepër në një mënyrë a në një tjetër do të kalojë në sitën e kritikës, qoftë edhe të asaj dashakeqëse. Nëse vepra rrezaton njerëzillëk, mirësi, dashuri ndaj njeriut, virtyteve, mirësisë e drejtësisë, nuk ka vend as për shqetësim, as për apologji, sepse drita e së vërtetës nuk mund të shuhet. Kandili që ushqehet me vaj të pastër, digjet me ndriçim – thotë Ovidi.

Shkrimtar i madh apo njeri i madh? Mes artit të vërtetë dhe njeriut zemërmadh nuk ka kufij. Janë pjesë e një tërësie dhe nuk mund t’i gjykojmë të ndara. A mund të ketë aftësi të cilat nuk shkojnë paralel me atë që duhet të jetë thelbësisht njerëzore tek njeriu që merret me krijimtari? Mund të ketë, por të jesh i madh nuk është aq e lehtë sa duket për shumë syresh. Nuk mjafton asnjë lloj arti që mund ta zhvillosh për t’u bërë i madh nëse zemra nuk është e madhe. Dhe, zemra e madhe ka vend për të gjithë, por jo për të keqen, për tiranitë, për ideologjitë e mbrapshta. Madhështinë e njeriut e përcakton kundërshtimi ndaj së keqes me kurajo dhe vetëmohim, besnikëria ndaj virtyteve dhe dashuria e pakufishme që e mira dhe e drejta të shkojë tek sa më shumë zemra njerëzish.

Njerëzit e mëdhenj veprat e tyre nuk i vulosin me ashtu ishte koha, nëse fati i ka çuar të jetojnë në kohë të turbullta apo të errëta. Madje, në të tilla kohë ata kanë shkëlqyer si kandilë frymëzues për njerëzit që kanë dashur dritën, ashtu si ylli polar që rrëfen udhën në natën e errët. Koha është gjykatësi i drejtë si për ata që lëvdohen dhe lëvdojnë, si për ata që kritikojnë e fyejnë, si për ata që enden në paqartësinë e ndërgjegjeve të tyre, po dhe për ata që përkapen pas principeve. Përballë kohës njeriu është i pafuqishëm për të mbuluar thelbin e vetvetes. Koha nuk fal askënd.

Exit mobile version