“International Maarif Schools of Kosovo” ka bërë të ditur se për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), që ka përfshirë mbarë botën, ky institucion arsimor ka marrë masa parandaluese që kur në Kosovë ende nuk ishte raportuar rasti i parë me këtë virus.
Përmes një deklaratë me shkrim për Anadolu Agency (AA), “International Maarif Schools of Kosovo” tha se deri më 25 shkurt të gjithë nxënësit e shkollave të saj në Kosovë i kanë informuar në lidhje me masat parandaluese dhe mbrojtëse kundër koronavirusit.
Duke kryer monitorime të vazhdueshme, Maarif ka zbatuar një praktikë për të ngritur nivelin e pastërtisë në maksimum, duke zgjedhur klasën më të pastër të muajit dhe duke shpërblyer klasat e përzgjedhura si më të pastrat të muajit shkurt.
“Në kuadër të programit ‘Foltorja e lirë’ e gjithë shkolla është informuar në lidhje me virusin COVID-19 ndërsa nxënësit tanë janë informuar për masat që duhen ndërmarrë akoma pa pasur asnjë rast me virus në Kosovë”, theksoi shkolla Maarif.
Më tej, thuhet se edhe pse dezinfektimi i shkollave është kryer çdo muaj, më 1 mars ekipe profesonale përsëri kanë kryer dezinfektimin e tyre. Në të njëjtën datë po ashtu kanë filluar përgatitjet për mësimin në distancë.
“Në fillim të muajit mars i jemi drejtuar me letër zyrtare Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes të cilës i kemi informuar se do të fillojmë me mësimin në distancë. Është formuar një komision, i cili ka analizuar sistemet më të përshtatshme të ‘mësimit në distancë’ dhe në fund është vlerësuar se aplikacioni ‘Zoom’ është më i përshtatshmi për t’u zbatuar”, thuhet në njoftim.
Kështu që, thotë më tej shkolla Maarif, përmes aplikacionit ‘Zoom’ me nxënësit dhe prindërit e tyre janë kryer video-prezantime të mësimeve në distancë, të tilla si seminare me mësimdhënës dhe udhëzime për instalimin e aplikacioneve të nevojshme për përdorimin e sistemit të mësimit në distancë.
“Të gjitha këto aktivitete janë bërë në mënyrë profesionale menjëherë pas vendimit për pezullimin e procesit mësimor. Ndërsa si shkolla ‘Maarif’, duke qenë të përgatitur nga aspekti teknologjike-teknik për të zhvilluar mësimin në distancë, kemi arritur të bëhemi shkollë model në Kosovë”, njoftoi shkolla Maarif.
Në Kosovë për herë të parë koronavirusi është shfaqur më 13 mars tek dy raste ndërsa viktima e parë u regjistrua më 22 mars. Që atëherë vendi ka raportuar gjithsej 10.795 raste të konfirmuara dhe 365 vdekje nga COVID-19.
– Viti i ri shkollor në shkollat Maarif nga distanca
Kosova ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për formën e mësimdhënies në vitin e ri shkollor 2020/2021 dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e vendit njoftoi se është në fazën e fundit të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor. Ky institucion njoftoi tri forma të mundshme të mësimdhënies, përkatësisht kthimin e nxënësve në shkolla, mësimin e kombinuar në shkolla dhe online ose mësimin online.
Maarif njoftoi se edhe nëse vendoset për skenarin e mësimit online është e përgatitur me një përmbajtje të pasur të aktiviteteve dhe mësimeve nga distanca, posaçërisht tek grupmoshat e vogla ku do të aplikohen aktivitetet dhe detyrat praktike.
“Edhe në formatin e mësimit nga largësia do të zbatohet kurrikula në tërësi ndërsa krahas saj nxënësve do t’u ofrohen edhe materiale ndihmëse të mësimit në të gjitha lëndët të cilat do t’iu krijojnë një përvojë të madhe të mënyrës së të mësuarit. Do t’i shtojmë edhe më shumë video-materialet mësimore, lojërat e ndryshme me karakter mësimi nga Microsoft, mësimin duke u argëtuar, animacione dhe grafika të ndryshme, tregime të shkurta si dhe materiale të ngjashme, të cilat do të shërbejnë për ngritjen e vullnetit dhe dëshirës për mësim”, shpjegoi Maarif.
Maarif njoftoi se me qëllim të pasurimit të përmbajtjes së lëndëve, falë angazhimit të Fondacionit Turk Maarif do të punojnë me platforma dhe aplikacione profesionale arsimore të licencuara si Collaborate, Blackboard, Microsoft Teams, Minecraft, aplikacione këto me një infrastrukturë të fortë dhe të aplikueshme ne më shumë se 45 vende të botës.
“Gjithashtu nxënësve do t’u ofrohet mundësia që të jenë pjesë e ‘Mësimeve Ndërkombëtare nga largësia’, mundësi kjo e ofruar nga një prej institucioneve më me renome botërore në fushën e arsimit siç është Fondacioni Turk Maarif. Me këtë rast ata do të kenë mundësinë që të marrin mësime nga mësimdhënësit më të dalluar të vendeve të ndryshme të botës, gjë e cila do t’i bëjë që të jenë një hap më para si dhe të fitojnë një perspektivë dhe dimension ndryshe të mësimit”, thuhet më tej.
Në mënyrë që nxënësi të bëhet aktiv, krahas prezantimit të përmbajtjeve atyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme do t’u ofrohet mbështetje dhe udhëzime në planifikimin e punës individuale.
Me dixhitalizimin e sistemit nëpërmjet sistemit e-maarif si dhe aplikacioneve mobile të ndryshme, prindërve do t’u mundësohet qasje si dhe mundësi e marrjes së informacioneve për mësimin, mungesat, gjendja e detyrave, pagesave dhe te ngjashme.
Pasi që tashmë janë krijuar disa standarde, theksoi Maarif, për lëndët të cilat do të jepen nga largësia, me qëllim që mësimdhënësit tanë t’i zhvillojnë edhe më shumë aftësitë profesionale në lëmitë përkatëse do të organizohen aktivitete dhe trajnime të ndryshme nga ekspertë ndërkombëtar në fushat si promovimi i mjeteve dhe hapësirave të mësimit në distancë, trajnime të cilat do t’ua lehtësojnë zhvillimin dhe pasurimin e përmbajtjeve të njësive mësimore. Të gjitha këto do të zhvillohen në nje periudhë të caktuar kohore, varësisht nga nevojat në fushat përkatëse.
“Si shkolla me kapacitete të mjaftueshme të burimeve njerëzore, në koordinimin me menaxhmentin, ashtu siç kemi bërë edhe vitin e kaluar të mësimit në distancë, do të bëjmë strukturim që siguron një proces të vazhdueshëm të mësimit. Do të sigurojmë vazhdimin dhe zhvillimin e përvojës, udhëzimin, ndjekjen, vlerësimin dhe shërbime të ngjajshme, të gjitha këto brenda një kornize të caktuar”, shpjegohet më tej.