Shkollat islame në Holandë, institucionet më të suksesshme arsimore që prej 5 vitesh

Në Holandë, shkollat islame në mesin e të gjitha shkollave janë renditur ndër shkollat më të suksesshme për vitin e pestë radhazi në provimin e përcaktimit të nivelit të kryer për klasat e fundit të shkollave fillore, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një hulumtimi nga RTL News, shkollat islame në vend kanë marrë pikët më larta me një mesatare 7,4 për vitin 2018 në provimin e përcaktimit të nivelit të kryer nga të gjitha shkollat dhe që përfshin klasat e fundit të shkollave fillore, provim ky i miratuar nga Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës (OCW).

Bëhet e ditur se në mesin e rreth 6.000 shkollave fillore në vend, shkolla islame El Boukhari në Leerdam është renditur e 5-ta, shkolla islame El Habib në Maastricht e 9-ta ndërsa shkolla islame Bilal në Amersfoort e 10-ta.

Hulumtimi është vlerësuar duke krahasuar provimet e përcaktimit të nivelit të zhvilluar në 3 vitet e fundit në të gjitha shkollat fillore në vend.

Kryetari i Federatës së Shkollave Islame (ISBO) Gökhan Çoban, në një deklaratë për AA tha se nuk është një rastësi që shkollat islame rezultojnë më të suksesshmet që prej 5 viteve.

“Në shkollat tona, mësuesit tanë bëjnë një përpjekje të madhe, por përveç kurrikulës normale, tek fëmijët ne ngulitim gjithashtu edukimin fetar, respektin dhe dashurinë. Respekti dhe dashuria mes mësuesve dhe nxënësve nuk është kaq shumë në shkollat e tjera. Si rezultat i kësaj, ne shohim se nxënësit e klasave të fundit marrin rezultate të larta në provimin e tyre të nivelit”, tha Çoban duke bërë të ditur se faktori më i rëndësishëm në sukses është identiteti.

Pasi rikujtoi se shkolla e parë islame në vend është hapur 30 vite më parë, Çoban tha se “Shkollat islame tashmë janë pjesë e pandashme e Holandës. Disa nga mësuesit tanë që punojnë në shumicën e shkollave islame janë të arsimuar kohë më parë nga shkollat islame. Ndërsa pjesën tjetër e shohim se janë të vlefshëm për shoqërinë me detyra të ndryshme të rëndësishme. Kjo është arsyeja pse shkollat tona japin një kontribut të madh për shoqërinë holandeze”.

Ai ka tërhequr vëmendjen se ka paragjykime ndaj shkollave islame të cilat jashtë kurrikulave që zbatojnë shkollat e tjera në vend ata japin vetëm 2 orë në javë mësime të fesë.

Duke vënë theksin se suksesi i shkollave islame nuk reflektohet në mediat holandeze, Gökhan Çoban thotë: “Ne nuk jemi të vendosur në titujt kryesor në mediat holandeze. Edhe në vitet e mëparshme nuk ka ndodhur. Ata i fshehin lajmet brenda lajmeve për shkollat islame dhe nuk i transmetojnë ato në mënyrë pozitive”.

Ismail Taşpınar, kryetari i Fondacionit Arsimor të Shkollave Islame në Holandën Qendrore dhe Lindore (SIMON) ku janë të lidhura shkollat islame Bilal dhe El Boukhari, ka thënë se është kënaqësi që shkollat islame janë renditur në mesin e institucioneve më të suksesshme arsimore.

“Është me të vërtetë një krenari e madhe për ne që të kemi tre shkolla islame të renditura në mesin e 10 të parëve në mesin e 6.000 shkollave fillore në vend nga të cilat dy i përkasin Fondacionit SIMON ku njëra prej tyre është në vendin e 5-të”, tha Taşpınar.

Shkollat islame në Holandë

Shkollat islame të lidhura me Ministrinë e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës (OCW) kanë të njëjtin kurrikul me shkollat e tjera. Në 53 shkolla islame në të gjithë vendin shkollohen rreth 12.500 nxënës.

Shkollat islame njihen si institucione arsimore që lidhen me identitetin dhe kulturën islame dhe i japin rëndësi këtyre vlerave në praktikë.

Një veçori tjetër e shkollave islame që sigurojnë një mjedis të sigurtë dhe të besueshëm për nxënësit është aplikimi i një sistemi arsimor që sinkronizon modelin shtëpi, rrugë dhe shkollë.