Banorët e zonave të gjendura në rrugën e uraganit “Irma”, e cilesuar si stuhia më e fuqishme e një dekade në Atlantik, janë paralajmëruar për pasoja shkatërrimtare.
Në Key West të Floridës, autoritetet kanë lëshuar një urdhër detyrues evakuimi. “Irma” është uragan i kategorisë së pestë, niveli më i lartë ekzistues, me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 295 km/h, ndaj frika është e madhe.
Stuhia ka nisur të godasë ishujt Leeward, e më pas do të lëvizë drejt Puerto Rikos dhe Republikës Domenikane. Deri tani, me mijëra vetë janë zhvendosur nga zonat më të rrezikuara, aeroportet në disa ishuj janë mbyllur, e po kështu edhe një sërë destinacionesh popullore turistike.
Presidenti Donald Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Florida, Puerto Riko dhe Ishujt Virxhin të Amerikës, duke mobilizuar kështu edhe agjencitë federale që ndërhyjnë në rast katastrofash natyrore.
Pjesë të Teksasit dhe Louisianës vazhdojnë të bëjnë llogaritë me dëmet që la pas uragani “Harvey”, por nuk është ende e qartë se çfarë impakti do të ketë “Irma” në territorin kontinental amerikan, i cili nuk është goditur asnjëherë brenda një sezoni nga dy uraganë të kategorisë së katërt e më shumë, që kur nisi për herë të parë regjistrimi i stuhive në vitin 1851.
Një stuhi e tretë tropikale u formua në Atlanik pas “Irmës”, ai “Jose”, e pritet që edhe ai të shndërrohet në uragan më vonë gjatë javës.