Një njeri e kishte zakon t’i thotë të birit: – “Shko në xhami, fale namazin për vete dhe për mua!” – dhe miqve të tij u thoshte: – “Mua nuk më duhet të shkoj në xhami. E kam edukuar të birin që ai të shkojë çdo ditë, kjo më mjafton mua.”
Një natë, ky njeri pa në ëndërr sesi bashkë me të birin qëndronte para derës së xhenetit në pritje për t’u hapur dera. Dera filloi të hapet ngadalë, më pas dëgjoi një zë që i tha birit të tij: – “Ti mund të hysh për të dy!” Djali hyri dhe dera u mbyll.
Nga ndjenja e pakëndshme dhe ankthi, njeriu u zgjua nga gjumi. Djali i tij u befasua kur të nesërmen në momentin e nisjes për në xhami, babai i tha: – “Sot edhe unë do të vij bashkë me ty në xhami!”
Ajo çfarë nuk shkruan në këtë tregim është puna e fëmiut me babain e tij me qëllim të afrimit të tij me xhaminë dhe namazin. Personat që pjesën më të madhe të jetës kanë qenë jashtë atmosferës së xhamisë, kanë nevojë për qasje graduale të tjerëve ndaj tyre.
Le të jetë ky tregim motivim që kohën, emocionet dhe përpjekjet tona t’ua kushtojmë atyre që janë pranë nesh, anëtarëve të familjes, të afërmve, fqinjëve dhe mbi të gjithë prindërve, sepse atyre i detyrohemi më së shumti.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)