I konsideruar si një nga mjekët më të mëdhenj të botës kur ishte vetëm 21 vjeç, Ibn Sina hodhi themelet e mjekësisë moderne dhe shkroi shumë libra në fusha si mjekësi, fizikë dhe filozofi.
I njohur si “Avicena” në Perëndim, ai konsiderohet themeluesi i shkencës moderne mesjetare dhe udhëheqësi i mjekëve.
Sipas informacionit të përpiluar nga Anadolu me rastin e Javës së Avicenës, e cila festohet çdo vit në javën e 3-të të gushtit, Avicena ka lindur në vitin 980 në fshatin Afshona, afër Buharasë, Uzbekistan.
Ibn Sina i cili edhe babanë e kishte shkencëtar, në moshë të re mësoi gjeometrinë, fikhun (jurispodencën fetare) dhe njohuritë tjera fetare. Pasi e mësoi Kur’anin përmendësh në moshën 10-vjeçare, Ibn Sina iu drejtua fushave si logjika, fizika dhe filozofia në moshë të re.
Ibn Sina, i cili mori arsim mjekësor pranë një mjeku të quajtur Kushyar dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me inteligjencën e tij superiore, shëroi Emirin e Buharasë, Nuh Mansurin, i cili u sëmur dhe nuk mundi të shërohej nga mjekët e pallatit, duke ia rikthyer shëndetin e tij.
Në këtë mënyrë, Ibn Sina u bë mjeku i pallatit dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në bibliotekën e pallatit, ku bëri shumë hulumtime.
I njohur si “Avicenna” në Perëndim dhe duke hedhur themelet e mjekësisë moderne, Ibn Sina mori titullin doktor në moshën 19-vjeçare dhe u bë një nga mjekët më të mëdhenj në botë në moshën 21-vjeçare.
Duke zbuluar se gjaku është një lëng që mbart ushqim, Sina hapi terren të ri në fushën e mjekësisë, nga qarkullimi i madh dhe i vogël i gjakut deri te zemra, barku dhe sistemi i valvulave.
Duke përmendur ekzistencën e mikrobeve në një kohë kur nuk kishte mikroskop, Ibn Sina pretendoi se shkaku i transmetimit të disa sëmundjeve mund të ishin krijesat e padukshme.
Kitab El-Shifa është vepra më gjithëpërfshirëse e shkruar nga një person i vetëm
I njohur nga perëndimorët si themeluesi i shkencës moderne mesjetare, udhëheqësi i mjekëve dhe i njohur si “Mjeshtri i Madh”, Ibn Sina punoi gjithashtu në fusha të tilla si fizika dhe filozofia, ndërsa shkroi më shumë se 200 libra dhe më shumë se 450 artikuj.
Kitab el-Shifa (Libri i Shërimit), i shkruar nga Sina, është përshkruar si vepra më gjithëpërfshirëse e shkruar nga një person i vetëm në historinë njerëzore.
Vepra e tij el-Kanun fi’t-Tib (Ligji i Mjekësisë) u konsiderua si një nga enciklopeditë më të mëdha të tij. Kjo vepër ishte burimi i librave të shkruar në pothuajse çdo gjuhë për 600 vjet dhe u përdor si tekst shkollor në Montpellier dhe Louvain deri në vitin 1650.
Libri, i cili u mësua deri në shekullin 19-të në vendet lindore, përfshinte anatominë dhe mjekësinë parandaluese, ilaçet e thjeshta, patologjinë, trajtimin me ilaçe dhe metodat kirurgjikale, si dhe metodat e trajtimit të krijuara nga kombinimi i barnave të ndryshme.
Sina, i cili gjithashtu shkroi për përmbytjet parahistorike, erozionin dhe shkëmbinjtë, bëri gjithashtu vëzhgime në fushën e astronomisë dhe bëri shpikje për astronominë.
Ibn Sina, i cili e kishte shkruar emrin e tij me shkronja të arta në botën e mjekësisë, vdiq në Hemedan në vitin 1037, në moshën 57-vjeçare.
Për jetën dhe veprën e tij u realizuan dokumentarë nga TUBITAK dhe TRT, si dhe u shkruan shumë libra nga autorë botërorë rreth jetës dhe veprës së tij