Shkencëtarët e modifikojnë ADN-në dhe arrijnë ta izolojnë sëmundjen më vdekjeprurëse

Për herë të parë shkencëtarët arritën të modifikonin ADN-në e embrioneve njerëzore për të parandaluar një sëmundje të trashëguar gjenetike, e njohur si kardiomiopatia hipertrofike që shkakton vdekjen e papritur.

Rezultati, i paralajmëruar nga media të shumta, u publikua zyrtarisht në revistën “Nature” nga universiteti shkencor i Oregonit dhe nga instituti Salk për studimet biologjike, në bashkëpunim me studiuesit kinezë e ata të Koresë së Jugut.

Bëhet fjalë për një hap me rëndësi të madhe shkencore. Pavarësisht se është ende larg zbatimit klinik, rezultati i hap rrugën parandalimit të 10 mijë sëmundjeve të trashëgueshme nga brezi në brez.

E megjithatë, eksperimenti ngre pikëpyetje serioze lidhur me atë që është moralisht e drejtë. Shkenca po përjeton një epokë të artë sa i përket modifikimit të ADN-së, kjo falë një teknologjie të re të quajtur “Crispr”, që mundëson ndërhyrjet gjenetike.

Studiuesit u fokusuan tek sëmundja e kardiomiopatisë hipetrofike që prek 1 në 500 persona dhe mund të çojë në arrestin e papritur kardiak.

Ajo shkaktohet nga një gen i vetëm dhe kushdo që e ka, ka 50 përqind më shumë gjasa për t’ja kaluar trashëgimi fëmijëve.

Sipas “Nature”, pas eksperimentit është dalë në përfundim se 70% e rasteve të modifikuara gjenetikisht nuk e përmbanin më gjenin e arrestit kardiak.