Shkencëtarët deshifrojnë “alfabetin fonetik” të balenave

Balenat gungaçe, gjitarët ujorë më të mëdhenj me dhëmbë, komunikojnë duke përdorur zhurma kërcitëse të quajtura koda dhe tingëllojnë si kodi Mors.

Një studim i ri që ka vëzhguar për vite zhurmat e balenave në Karaibet lindore, ka zbuluar se sistemi i komunikimit është më i sofistikuar se ç’mendohej pasi kombinon strukturën e brendshme komplekse me një ‘alfabet fonetik’. Shkencëtarët kanë gjetur ngjashmëri me aspekte të sistemeve të komunikimit të kafshëve të tjera e madje edhe me gjuhën e folur.

Balenat gungaçe janë shumë sociale dhe këlthitjet e tyre janë pjesë integrale e kësaj. Studimi i publikuar në Nature Communications ka sqaruar sistemin që balenat përdorin.

“Balenat nuk prodhojnë sekuenca kërcitëse arbitrare. Ato synojnë që t’i prodhojnë në një shtrirje të kufizuar modelesh fikse. Kërkimi ynë shpjegon sesi ndërtohen këto modele”, shpjegon bashkautori i studimit, Jacob Andreas.

Balenat gungaçe mund të arrijnë deri në 18 metra gjatësi dhe kanë trurin më të madh se çdo kafshë tjetër. Ato janë gjallesa të ujërave të thella, ushqehen me kallamarë gjigantë dhe kafshë të tjera.

Përmes analizës tradicionale statistike dhe inteligjencës artificiale, shkencëtarët ekzaminuan thirrjet e 60 balenave që ishin regjistruar nga Dominica Sperm Whale Project, një program kërkimor që ka grumbulluar një bazë të konsiderueshme të dhënash për balenat gungaçe.

Variacionet e kërcitjeve në numër, ritëm dhe tempo prodhonin lloje të ndryshme kodash. Balenat e ndryshonin gjatësinë e kodave dhe ndonjëherë shtonin një kërcitje tjetër në fund, njësoj si prapashtesat në gjuhën e folur.

“Të gjithë këto koda që ne shohim ndërtohen duke kombinuar pjesëza të vogla më të thjeshta. Ky studim është i orientuar vetëm në strukturën e tyre dhe jo në domethënien. Kjo e fundit është diçka me të cilën po merremi”, tha Andreas.

Por nëse shkencëtarët deshifrojnë ‘fjalët’ e balenave, a duhet që njerëzit të përpiqen të komunikojnë me to? Andreas mendon se do të duhen ende disa kërkime për këtë apo të paktën për të kuptuar nëse kjo do të jetë e mundur.

“Njëkohësisht, jam optimist që ne do të mësojmë më shumë për informacionin që përmbajnë këlthitjet, kërcitjet dhe kodat si dhe kontekstin e sjelljes që ato i përkasin”.