Lindi në Gjakovë në vitin 1949. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm. Fakultetin e mjekësisë e kreu në Sarajevë në vitin 1973 me sukses të shkëlqyeshëm. Për suksesin e arritur gjatë studimeve u dekorua me “Shenjen e artë të Universitetit të Sarajevës”, si studenti më i suksesshmi dhe më i dalluari në këtë Universitet.
Specializimin nga lëmi i mjekësisë interne e kreu në Sarajevë në vitin 1979 po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm dhe falënderim të veçantë. Në vitin 1987 merr titullin e primariusit. Ndërsa në vitin 1988 në Universitetin e Novi Sadit mbron titullin e doktorit të shkencave të mjekësisë.
Për herë të parë në ish-Jugosllavi dhe Evropë zbuloi testimin me karbakol si një test bronkoprovokues më senzitiv (Dose-response curve – PD100 Raw). Ndërsa është i pari në Kosovë që aplikoi testimin bronkoprovokues me pluhura organike.
Ka botuar mbi 80 punime shkencore nga lëmi i mjekësisë, të botuara këto nëpër revista të ndryshme dhe të referuara në kongrese e seminare të ndryshme, si dhe monografinë “Testet bronkoprovokuese në diagnostiken e hiperaktivitetit bronkial”.
Ka mbajtur ligjërata shkencore në të gjitha trojet shqipare si dhe në diasporë, si dhe në Universitetin Ballkanik në Shkup dhe Shtul, Tetovë, Angli, Gjermani, Zvicër, etj.
Është paraqitur me tema shkencore në shumë kongrese në Kosovë, ish-Jugosllavi, Zvicër, Gjermani etj.
Në vitin 2013 me hapjen e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë zgjidhet ushtrues detyre Dekani si dhe ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë.
Për punën e tij të palodhshme 40 vjeçare dhe kontributin në mjekësi u dekorua me Medaljen e meritave për popull, Mirënjohjen publike të qytetarit të merituar të Gjakovës, Shenjën e argjend dhe të artë të Kryqit të Kuq të Kosovës si dhe një varg mirënjohjesh tjera.
Prim.dr.sc.med. Ali F.Iljazi ka punuar në “Institutin Kombëtar të Mjekësisë së Punës”, në Gjakovë, ku edhe pensionohet në qershor të vitit 2014.
Edhe pas pensionimit, deri më sot edhe kur ndërroi jetë ai nuk e ndali aktivitetin e tij shkencor e human.