Shkenca dëshmon për gjininë biologjikisht të përcaktuar

Arben Labenishti

Biologjia njerëzore është ajo që e ka përcaktuar, që në fillimin e njerëzimit, që në çiftin e parë nga rrjedh e gjithë shoqëria njerëzore, që e përcakton edhe në ditët e sotme dhe do ta përcaktojë gjininë deri në lindjen e foshnjës së fundit në këtë botë.

Arben LABËNISHTI, Strugë

Në diskursin e shoqërisë bashkëkohore vend të rëndësishëm zë afirmimi dhe legalizimii identiteteve gjinore alternative. Në funksion të mbështetjes së tyre zhvillohet një fushatë e angazhuar për të prodhuar efekte objektiviteti se “seksi biologjik jo domosdoshmërisht është i përputhshëm dhe përcaktues i gjinisë” dhe se “gjinia është diçka kulturore, në të cilën dikush përfundon nëpërmjet një procesi kompleks të socializimit.”
Me këtë frymë, ata sjellin definicionet për kategoritë: seksi, gjinia dhe identiteti gjinor. Meqenëse ajo ka gjetur aprovues dhe përpiqen për ta legjitimuar edhe në vendin tonë, do t’i ofroj të cituara definicionet për këto kategori, duke iu referuar nenit 4 të projektligjit për “barazi gjinore”, i cili është dorëzuar në arkivin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut në Shkup. Po i citoj ato sipas këtij neni:” 1) “Seksi” i nënkupton karakteristikat biologjike dhe psikologjike mbi bazën e të cilave njerëzit definohen si femra ose meshkuj; 2) “Gjinia” i nënkupton vetitë shoqërore dhe mundësitë që lidhen me atë për të qenë femër ose për të qenë mashkull, dhe me marrëdhëniet ndërmjet femrave dhe meshkujve dhe djemve dhe vajzave, si dhe marrëdhëniet ndërmjet vetë femrave dhe marrëdhëniet ndërmjet vetë meshkujve; 3) “Identitet gjinor” i referohet përjetimit të brendshëm dhe individual të gjinisë që secili person e ndjen thellë për veten, që mundet pordhe jo patjetër të korrespondojë me seksin që i është caktuar gjatë lindjes, si dhe përjetimin personal të trupit të vet dhe shprehjen e ndryshme të gjinisë, duke e përfshirë, veshjen, të folurin, sjelljen dhe të tjera.
Kjo frymë i ka mbështetësit e saj, por edhe ata që s’pajtohen dhe e kritikojnë atë. Kështu është provokuar një debat i gjatë i cili vazhdon deri në ditët e sotme. Në këtë debat ajo që është më kuptimplotë dhe më bindëse, se çka e përbën gjininë, ka të bëjë me shqyrtimin shkencor të konceptimit të gjinisë.
Përvijimin për këtë e gjejmë në tekstit analizues me titull “Islami dhe LGBT: Diskutimet rreth transgjinorizmit”, të autorëve Mobeen Vaid dhe Wabeed Jensen, të cilët ofrojnë argumente duke u mbështetur te një mori studiuesish të përfshirë në debatin për gjininë si “një konstrukt social” ose “biologjikisht e përcaktuar”,si dhe në shqyrtimin e problematikave që e përshkojnë transgjinorizmin. Ky tekst është përkthyer në gjuhën shqipe nga Arjol Guni dhe është publikuar në erasmusi.org, më 04.02.2023. Më poshtë do ta sjell atë të përmbledhur.

Studimi shkencor për seksin dhe gjininë

Duke i sjellë, sipas autorëve Vaid dhe Jensen, gjetjet e shumë studimeve serioze të cilave ata u referohen në shkrimin e tyre, shpresoj se e kuptojmë të vërtetën për tranzicionin nga njëra gjini në tjetrën dhe të vërtetën se a janë karakteristikat biologjike dhe aktivitetet hormonale përcaktuese të identitetit gjinor.
Po filloj me Germaine Greer, e cila e kritikon dhe s’e pranon tranzicionin gjinor. Ajo mendon se “proceduarat kirurgjike për të hequr gjenitalet mashkullore përbëjnë një lloj gjymtimi dhe, përfundimisht, dështojnë që t’i arrijnë qëllimet e tyre, duke qenë se heqja e gjenitaleve mashkullore nuk e ndryshon “faktin kromozomik njëlloj sikur heqja e bishtit të qenushëve nuk prodhon një racë pa bisht”. Gjithashtu, ajo pohon se gratë transgjinore nuk kanë “pamje, zë dhe sjellje prej grash”. Një zë tjetër me peshë akademike, Camille Paglia, në një intervistë shprehet: “Pa diskutim, është ironike se si liberalët, të cilët pozicionohen si mbrojtës të shkencës kur vjen puna te ngrohja globale, i ikin çdo reference ndaj biologjisë kur vjen puna te gjinia…”. E vërteta e ftohtë biologjike është se ndryshimet e seksit janë të pamundura. Çdo qelizë e vetme e trupit njerëzor mbetet e koduar me gjininë e lindjes së njeriut për të gjithë jetën. Ambiguitetet ndër-seks ose ndërmjet dy sekseve, ndodhin, por ato janë anomali zhvillimore që përfaqësojnë një përqindje të vogël të të gjitha lindjeve njerëzore. “Ekspertja e neurologjisë, DebraSoh, u kundërvihet feministëve gjinorë dhe aktivistëve transgjinorë për qëndrimin e tyre në kundërshtim me shkencën. Ajo pyet, nëse ata po e “minojnë shkencën” me këmbënguljen e tyre se gjinia ishte thjesht diçka në të cilën njeriu socializohet. Debra Soh shprehet se: “…teksa kanë ndjekur një agjendë të caktuar politike, teoricienët gjinorë kanë flakur tutje hulumtimet shkencërisht të sakta dhe të provuara në mënyrë të përsëritur që pohojnë dallimet anatomike dhe fiziologjike ndërmjet burrave dhe grave. Këto dallime përfshijnë strukturën dhe funksionin e trurit…”. Në shkrimin të cilit i jemi referuar është sjellë edhe qëndrimi për këtë çështje i blogerit Andrew Sullivan. Aty thuhet se ai ka komentuar duke u shprehur se:”…dallimi mashkull-femër, ndonëse i urryer nga teoricienët modernë dhe feministet e gjinisë, është norma de fakto e natyrës.”
Sipas autorëve Vaid dhe Jensen, ashtu si me homoseksualitetin, për të cilin pretendohet të ketë një shkak gjenetik(biologjik), edhe për transgjinorizmin ka tendenca për të implikuar një predispozicion biologjik, por jo në evidenca gjenetike ose në gjurmimin e një “gjeni trans”. Ata shkruajnë se, nisur nga rezultatet e studimeve të kësaj natyre, si ai i vitit 2008 nga disa studiues australianë, i cili ka pasur për qëllim inspektimin e shkaqeve të mundshme gjenetike për transseksualizmin, duke marrë në shqyrtim tre variante gjenesh, të cilët asokohe ntipikisht me nën-maskulinizimin dhe/ose nën-feminilizimin, nuk ka gjetur asnjë bashkëlidhje për transseksualizmin. Si përfundim thuhet se: “Ndonëse studimet që shqyrtojnë faktorët gjenetikë për transgjinorizmin kanë qenë ose pa përfundim të qartë ose mbështetëse të konkluzionit se identitetet e mospërputhshme gjinore nuk kanë bazë gjenetike, hulumtimet neurologjike kanë prodhuar në pamje të parë përfundime më të besueshme për ata që argumentojnë në favor të një origjine biologjike të disforisë gjinore”. Vaid-i dhe Jansen-i shkruajnë: “Në përputhje me këtë, nocioni i një “truri trans”, apo i mospërshtatjes gjinore të trurit, është avancuar si burim parësor i disforisë gjinore në diskutimet bashkëkohore rreth transgjinorizmit. Në trajtimin e këtij pretendimi, është e rëndësishme që së pari të dallojmë dhe të pranojmë plotësisht natyrën e luhatshmërisë neurologjike sikurse paraqitet kjo në konceptin e neuroplasticitetit.” Sipas neurobiologut Moheb Costandi, neuroplasticiteti është “një term gjithëpërfshirës që u referohet mënyrave të shumta të ndryshme në të cilat mund të ndryshojë sistemi nervor”. Janë disa eksperimente që kanë vëzhguar “ndikimin e të mësuarit dhe të eksperiencave të tjera mbi lëndën trunore” dhe studime që vështrojnë të përqendruara “mbi impaktin e konceptimit të vetes dhe faktorëve psikologjikë mbi trurin, siç janë meditimi, stresi dhe qëllimshmëria.” Autorët Vaid dhe Jensen pohojnë se: “Duke e pasur parasysh shtrirjen e përkulshmërisë neurologjike, është e arsyeshme të thuhet se personat të cilët e konceptojnë veten si të prekur nga disforia gjinore për periudha të tejzgjatura kohore do të fillojnë të përfitojnë disa idiosinkrasi neurologjike që e pasqyrojnë këtë konceptim për veten. Kjo është akoma edhe më e vërtetë për ata persona që e kanë bindur veten për vite, në mos dekada me radhë, se ata posedojnë një fenotip të çorientuar dhe që kanë kryer terapi hormonale dhe/ose iu janë nënshtruar procedurave shoqëruese kirurgjikale si një masë ‘korrigjuese’.” Nga gjetjet e një studimi të vitit 2016, që i analizon studimet e mëparshme të kësaj natyre, me drejtues Guillamon, me titull “Një tablo e gjendjes së hulumtimit të strukturës trunore në transsekeualizëm”, mësojmë se: “Studimet që shqyrtojnë transseksualët homoseksualë MtF (nga mashkull në femër) përpara terapisë hormonale tregojnë se parametrat kryesorë morfologjikë të trurit janë në harmoni me seksin e tyre të lindur në rastin e MtF-ëve homoseksualë të patrajtuar. Megjithatë, disa rajone kortikale tregojnë vëllim dhe dendësi femërore, ndonëse ky motiv kortikal nuk është i njëjtë si ai që tregojnë femrat e kontrollit. Transseksualët homoseksualë FtM, njëlloj si homologët e tyre MtF, tregojnë motive morfologjike flagrante që korrespondojnë me seksin e tyre të lindjes. Megjithatë, po ashtu si transseksualët homoseksualë MtF, transeksualët FtM (nga femër në mashkull) tregojnë fenotipin e tyre në aspekte të tjera të fenotipit të trurit, si dendësia kortikale, strukturat subkortikale dhe të tilla si këto, ndërsa këto ndryshime shihen kryesisht në hemisferën e djathtë. Hemisfera e djathtë është kryesisht e përfshirë në analizën e perceptimit të trupit dhe konotacioneve të tij emocionale. Këto gjetje tregojnë se as personat homoseksual MtF e as personat homoseksualë FtM nuk zotërojnë një tru plotësisht “të feminilizuar” (në rastin e MtF-ve) ose të “maskulinizuar” (në rastin e FtM-ve) në një mënyrë që të shmanget substancialisht nga gjinia e tyre e lindur. Në vend të kësaj truri homoseksual MtF paraqet një përzierje të veçorive mashkullore, femërore dhe të demaskulinizuar, ndërkohë që truri FtM homoseksual paraqet një përzierje të veçorive morfologjike të femërore, të defeminilizuara dhe maskulinizuara. Studimi i vitit 2016 gjithashtu ka dhënë një tablo të futjes së trajtimit hormonal, ashtu që si për transseksualët MtF, ashtu dhe për ata FtM, ndryshimet morfologjike janë vrojtuar mbas një trajtimi të vazhdueshëm për katër muaj. Për këtë thuhet se: “Rrjedhimisht, skemat e trurit transseksual të trajtuara me hormone nuk mund të merren si evidenca të një fenotipi trunor transseksual për shkak se trajtimi ndryshon morfologjinë e trurit dhe errëson skemën e trurit përpara trajtimit”. Sipas autorëve Vaid dhe Jensen, gjetjet e tre studimeve të tjera, njëri i vitit 1995 (Zhou/Kruijver), që ka shqyrtuar trurin e adultëve transeksualë MtF të vdekur, të cilët i ishin nënshtruar terapisë hormonale dhe ripërcaktimit të seksit, dhe ka zbuluar se “vëllimi i nënndarjes qendrore të nukleusit të shtratit të stria terminalis (BSTc), një zonë në tru kjo që është esenciale për sjelljen seksuale”, ka koresponduar me madhësinë femërore. Një tjetër të vitit 2002 (Chung et al.), i cili ka vrojtuar se zhvillimi BSTc nuk ndodh deri në moshën madhore. Dhe studimin e vitit 2006 (Hulshoff Polet al.) që ka pasur për qëllim efektin e terapisë hormonale mbi vëllimin e trurit, i ka marrë në analizë Anne Lawrence, e cila shkruan se “…për një farë kohe të dhënat nga Zhou/Kruijver i dhanë teorisë truri-seksi njëfarë besueshmërie sipërfaqësore. Në vitin 2002, Chung et al. raportuan të dhëna të reja që ngrinin dyshime serioze në lidhje me teorinë truri-seksi, por autorët qenë në gjendje të shpjegonin se përse teoria mund të ishte ende e besueshme. Të dhënat e reja, të raportuara nga Hulshof Pol et al. në vitin 2006, nuk i bën të pavlefshme këto shpjegime, por i bën ato irrelevante në një masë të madhe. Shpjegimi më i thjeshtë dhe më bindës i gjetjeve Zhou/Kruijver është se ato mund t’i atribuohen, në tërësi ose në masë dërmuese, pasojave të terapisë hormonale të seksit tjetër të administruara gjatë moshës madhore. Teoria truri-seksi nuk ka qenë asnjëherë e dobishme në shpjegimin e vëzhgimeve klinike; sot ajo është bërë e pavend për të shpjeguar vëzhgimet neuro-anatomike”. Me këtë arsyetim, Anne Lawrenece, e hedh poshtë teorinë truri-seksi të transseksualizmit.
Autorët Vaid dhe Jansen na ofrojnë debatin edhe për autogjinefilin, në të cilin janë përfshirë shumë emra që përplasen me studimet dhe mendimet e tyre. Gjithashtu, ata na sjellin edhe mendimin të William Uttal-it, i cili “ndoshta është kritiku më i ashpër i atyre të cilët instrumentalizojnë hulumtimin neurologjik dhe imazherinë e trurit për të shpjeguar procese kognitive”. Sipas tyre, “Utal-i shpalosi problemet që qëndrojnë në thelb të neuroshkencës kognitive, përfshirë dhe “kompleksitetin vigan , jo-linearitetin, dhe ndërveprimin e ndërlikuar si të domenit neural ashtu edhe të atij kognitiv” dhe se si ato “parashtrojnë ato që mund të jenë probleme të pazgjidhshme të analizës dhe shpjegimit për çdokënd që ka guximin ta studiojë veprimtarinë mendore të njeriut.”Autorët e këtij shkrimi na e ofrojnë më të plotë mendimin kritik të Utal-it. Ata parashtrojnë edhe disa pyetje, të cilat sipas tyre lindin si rezultat i zbatimit të kësaj kritike ndaj studimeve të trurit mbi transgjinorizmin. Ndër të tjera, ata pyesin: “deri në çfarë mase duhet t’i kushtojmë vëmendje këmbënguljes tashmë zakonisht me dy hapa se ‘zgjedhjet’ individuale duhet respektuar pavarësisht nga kuptueshmëria e tyre nga ndonjë masë shkencore, ndërkohë që njëkohësisht proklamohet një tezë e tipit ‘kështu ka lindur’ pa pasur asnjë provë kërkimore të besueshme, të verifikuar, të vërtetuar dhe të rishikuar nga shkencëtarë të tjerë për të mbështetur këtë pretendim?”.
Vaid-i dhe Jansen-i e përfundojnë shkrimin e tyre analizues me pohimin se: “Fluiditeti i qenësishëm i predispozimit biologjik thjesht sugjeron atë që është tashmë e mirëditur: gjegjësisht, se çfarëdo që mendohet për transgjinorizmin, thirrjet se ai është i qenësishëm janë një shpatë me dy teha, dhe pikëpamja se ‘gjinia’ (si e kundërvënë ndaj seksit biologjik) është qenësisht e ngulitur në gjendjen psikologjike të njënjeriu është pretendim pikë së pari metafizik, dhe jo një pretendim shkencor apo empirik.”
Debati për seksin dhe identitetin gjinor, për transgjinorizmin, për disforinë gjinore, për orientimet seksuale dhe çështje të tjera të kësaj natyre, vazhdon edhe në ditët e sotme. Ndoshta, në të ardhmen, ky debat do të bëhet më i mprehtë dhe më i ashpër.

Ç’mund të veçojmë nga studimi shkencor?

– “Karakteristikat biologjike të seksit janë baza e dallimeve gjinore – kromozomet X dhe Y dhe aktivitetet hormonale kanë ndikim në një gamë të cilësive individuale nga veçoritë fizike e deri te të menduarit dhe te aftësitë motorike.”
– “Kategoritë gjinore, pavarësisht se sa janë të formësuara nga faktorë socialë, kryqëzojnë pa dallim identitetet tradicionale mashkull – femër, me këto të fundit që përcaktohen pothuajse universalisht mbi bazën e dallimit anatomik të seksit.”
– “E vërteta e ftohtë biologjike është se ndryshimet e seksit janë të pamundura. Çdo qelizë e vetme e trupit njerëzor mbetet e koduar me gjininë e lindjes së njeriut për të gjithë jetën.”
– “Ambiguitetet ndër-seks ose ndërmjet dy sekseve ndodhin, por ato janë anomali zhvillimore që përfaqësojnë një përqindje të vogël të të gjitha lindjeve njerëzore.”

Nga studimet e shqyrtuara në shkrimin e autorëve Vaid dhe Jensen nuk sillet asnjë gjetje relevante e cila do të argumentonte përfundimisht në favor të një origjine biologjike të disforisë gjinore.
Biologjia njerëzore është ajo që e ka përcaktuar që në fillimin e njerëzimit, që në çiftin e parë, se nga rrjedh e gjithë shoqëria njerëzore, që e përcakton edhe në ditët e sotme dhe do ta përcaktojë gjininë deri në lindjen e foshnjës së fundit në këtë botë. /revistashenja