Shkëmb Manaj emërohet nënkryetar i kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka emëruar Shkëmb Manaj nënkryetar të kryeqytetit.

Rama ka thënë se nënkryetari i ri i Prishtinës është profesional dhe njëri me integritet.

“Shkëmb Manaj, nga sot, është nënkryetar i kryeqytetit. Me një përkushtim të thellë për të mirën e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit, ai është një model i dedikimit në çdo hap të jetës së tij profesionale. Në te gjitha etapat e karrierës së tij, Shkëmb Manaj ka ruajtur integritetin e tij të palëkundur. Vlerat e tij familjare dhe kombëtare janë thelbësore në çdo vendim që merr, duke përfaqësuar me dinjitet dhe përkushtim qytetarët e vendit të tij. Ai vazhdon të përfaqësoj unitetin, bashkëpunimin dhe solidaritetin si themele të një shoqërie të zhvilluar dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Rama.

Alban Zogaj të enjten ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të kryeqytetit pasi është zgjedhur deputet.