Shkatërrohet një laborator i drogës në Prishtinë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se në Prishtinë është shkatërruar një laborator i drogës të llojit kokainë.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se, ‘laboratori i sotëm është i 19-ti i shkatërruar në tri vitet e fundit, 40 grupe kriminale që janë marrë me këtë veprimtari janë shkatërruar e janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë sasi të llojeve të ndryshme të drogave’.

Sveçla, ka theksuar se kjo betejë do të vazhdoj dhe se askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit.

“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë. Të gjithë kriminelëve, të të gjitha ngjyrave, iu them që nuk ka hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale në Kosovë. Prapa hekurave është vendi për ta”, shkruan Sveçla në Facebook.