Shkaktari më i zakonshëm i kancerit? Thjesht fati i keq

Shumica e llojeve të kancerit shkaktohen nga gabime rastësore në kodin gjenetik, që ndajnë qelizat, ka zbuluar një studim i ri.

Pavarësisht besimit të gjerë se sëmundja zakonisht trashëgohet ose shkaktohet nga mënyra e jetesës jo e shëndetshme, dy e treta e rasteve ndodhin për shkak të gabimeve në ADN.

Dhe nuk ka asgjë që mund ta parandalojë një gjë të tillë – është thjesht fati i keq, thonë ekspertët.

Kanceri i shkaktuar nga gabimet gjenetike mund të shfaqet sado ambient perfekt të jetosh, paralajmërojnë shkencëtarët nga Qendra e Kancerit Johns Hopkins Kimmel. Këto rezultatet shpjegojnë përse kanceri prek shpesh njerëzit që ndjekin të gjitha rregullat e një jetese të shëndetshme dhe nuk kanë asnjë histori familjare të sëmundjes.

Hulumtuesit shkencorë studiuan mutacionet që shkaktojnë rritje jonormale të qelizave në 32 lloje të ndryshme kanceri. Rezultatet treguan se përgjithësisht, dy ose tre gabime gjenetike mund të shkaktojnë sëmundjen.

Në disa lloje kanceri, si ato që prekin prostatën, trurin dhe kockat, më shumë se 95% ndodhën për shkak të gabimeve rastësore në ADN.

Gabimet u lidhën me 77% të kancerit të pankreasit dhe 35% të kancerit të mushkërisë.

Ky i fundit shkaktohet më shumë nga duhanpirja dhe faktorët e tjerë mjedisorë.

Në përgjithësi, 66% e mutacioneve të kancerit rezultojnë nga gabimet në kopje, 29% nga faktorët e mënyrës së jetesës dhe vetëm 5% nga gjenet me të meta të trashëguara.