Ballina Jeta Shëndetësi Shkaktari i Tuberkulozit është…

Shkaktari i Tuberkulozit është…

Sëmundja e tuberkulozit shkaktohet nga agjenti infektiv i njohur si Mycobacterium tuberculosis (Mtb).

Ky bakter, ndryshe i njohur si bacili i Kochut, është zbuluar në vitin 1882 nga Dr. Robert Koch. Mycobacterium tuberculosis është një bakter që jeton vetëm te njerëzit. Është bakter aerobik, që do të thotë se ka nevojë për oksigjen për të mbijetuar.

Infeksioni
Kur një njeri thith ajrin e kontaminuar me Mycobacterium tuberculosis, bakteri arrin në mushkëri dhe shkakton infeksion.

Mirëpo, jo gjithkush që infektohet, sëmuret. Bakteri mund të qëndrojë ‘i përgjumur’ me vite dhe të mos shkaktojë sëmundje. Ky quhet infeksioni latent i tuberkulozit.

Njerëzit që kanë tuberkuloz latent nuk sëmuren dhe nuk ua ngjisin infeksionin të tjerëve. Por rrallëherë ndodh që edhe ata me TBC latent të sëmuren, prandaj është me rëndësi që të ordinohet terapia e caktuar për ta eliminuar bakterin edhe kur është ‘i përgjumur’.

Sëmundja

Që të zhvillohet sëmundja e tuberkulozit duhet të plotësohen këto dy kushte:

  1. Bakteri të hyjë në organizëm dhe të shkaktojë infeksion.
  2. Sistemi imunitar nuk është në gjendje ta pengojë rritjen dhe përhapjen e bakterit pas infeksionit fillestar.

Bakteri aktiv shumohet dhe e shkatërron indin. Ndërsa njeriu i infektuar shfaq simptoma të cilat varen nga vendi ku po zhvillohet bakteri. Në shumicën e rasteve, Mycobacterium tuberculosis sulmon mushkëritë.

Transmetimi

Tuberkulozi është sëmundje që përhapet përmes ajrit. Bakteri kalon nga personi i infektuar te personi tjetër në formë të spërklave gjatë kollitjes, teshtitjes, bisedimit, këndimit ose qeshjes. Vetëm personat me tuberkuloz aktiv janë infektues./Mesazhi/

Exit mobile version