Ballina Lajmet Kosovë Shishani: Arrestimet e fundit nuk e zbehin imazhin e Policisë së Kosovës

Shishani: Arrestimet e fundit nuk e zbehin imazhin e Policisë së Kosovës

Ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Fitim Shishani, ka thënë se imazhi i përgjithshëm i Policisë së Kosovës nuk është zbehur me arrestimin e 59 policëve të dyshuar për korrupsion.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se këto veprime të IPK-së duhet ta sigurojnë një polici të përgjegjshme, demokratike, humane e transparente ndaj shoqërisë sonë.

“Meqë e kam studiuar mirë punën e policisë, kam bindjen e plotë se veprimet e ndërmarra nga organi mbikëqyrës i policisë nuk e zbehin fare imazhin e policisë. Këto veprime të IPK-së, sipas përvojës sime, duhet ta sigurojnë një polici të përgjegjshme, demokratike, humane e transparente ndaj shoqërisë sonë. Duke shprehur çdoherë admirimin tim për ish-punonjësit e mi të IPK-së, jam i vetëdijshëm se barometri matës i kualitetit të hetimeve është, së pari, numri i aktakuzave që mund të ngrehen dhe, më vonë, edhe numri i aktgjykimeve gjyqësore që do të nxirren”, ka deklaruar Shishani, duke shtuar se, nëse vërtetohet me prova materiale, se policët e arrestuar kanë pranuar nga qytetarët, para, sende me vlerë, apo ndonjë shpërblim tjetër, duke dështuar në kryerjen e detyrave policore atëherë, sipas tij, ky është korrupsion tipik policor.

“Nuk është dobësi, e as akuzë për ata policë të ndershëm, të cilët punojnë ditë e natë dhe rrezikojnë për çdo ditë jetën e tyre për të na siguruar qetësinë, rendin dhe pasurinë në shtetin tonë, nëse troç e themi, se korrupsioni policor i dhuron një shembull të keq shoqërisë sonë”, ka theksuar Shishani.

Ai ka shtuar se për ta luftuar korrupsionin policor, masave të ashpra ligjore dhe atyre administrative duhet t’u shtohen edhe masat edukuese, siç janë seminaret dhe fushatat vetëdijesuese. Sipas Shishanit, punonjësit e policisë, të cilët përfshihen në sjellje të papërshtatshme, nuk duhen trajtuar me butësi nga eprorët e tyre.

Exit mobile version