Shijoni drekën me role patëllxhani me gjizë dhe djathë

Të gatuara në këtë mënyrë shijojnë shumë dhe janë një ushqim i lehtë për drekën. Pas pilafit, na falni patëllxhanëve, edhe një shalqi i ftohtë është fiks për drekën e sotme.

PËRBËRËSIT: 3 patëllxhanë mesatarë (në varësi të madhësisë së tavës), 250 g gjizë pa kripë, 100 g djathë i bardhë lope, pak djathë Parmigiano ose djathë kaçkavall, borzilok i freskët, kripë, piperd dhe domate qershi.

PËRGATITJA: Patëllxhanët e larë i presim për së gjati në feta me trashësi 1 cm. I shtrojmë në një tave me letër pjekjeje dhe i spërkasim me pak kripë dhe vaj ulliri. I pjekim për 10 minuta në temperaturë 200 gradë C. Sakaq përgatisim mbushjen duke përzier djathrat, gjizën dhe borzilokun e grirë hollë.

U shtojmë kripë dhe piper sipas dëshirës. Me një lugë gjelle vendosim pak mbushje në fetat e patëllxhanit dhe i mbledhim me dorë duke formuar role. I radhisim në tavë dhe vendosim mes tyre domate qershi. I spërkasim sipër me djathë Parmigiano dhe i pjekim për 10 minuta në temperaturë 200 gradë C.

JU BËFTË MIRË!