Një recetë shumë e thjeshtë, por në të njëjtën kohë tepër e shijshme për ne shqiptarët të cilët jemi rritur me këtë gatim. Unë kam skuqur specat më vete dhe gjizën me hudhra më vete. Sigurisht mund edhe t’i bashkoni, varet nga preferencat e familjes suaj, por në këtë mënyrë secili merr sa speca të dojë dhe sa gjizë të dojë.
PËRBËRËSIT: 1 kg speca, 500 g gjizë, 4-5 thelpinj hudhër, vaj luledielli, majdanoz i freskët, kripë dhe pak qumësht
PËRGATITJA: Lajmë mirë specat dhe pa u hequr farat dhe bishtin (të plota siç janë) i skuqim në vaj luledielli nga të dyja anët. I lëmë mënjanë dhe i kriposim. Ulim zjarrin dhe në të njëjtin tigan, në yndyrën që ka mbetur, kaurdisim hudhrat e grira hollë për 1 minutë. Shtojmë gjizën, pak kripë dhe i përziejmë. Nëse gjiza është shumë e thatë, e hollojmë me pak qumësht. Shtojmë në fund edhe majdanozin e grirë hollë apo çdolloj erëze tjetër që preferoni. E shërbejmë duke vendosur në fillim në pjatë gjizën me hudhra dhe specat e skuqur sipër.