Ballina Kuzhinë Shije dhe vlera gjatë gjithë vitit – Si t’i thani bamjet në...

Shije dhe vlera gjatë gjithë vitit – Si t’i thani bamjet në dy mënyra

Është koha perfekte kur amvisat shqiptare nisin të përgatisin zahiretë e dimrit.

Bëhet fjalë për një proces përgatitjeje dhe ruajtje e ushqimeve tradicionale të destinuara për konsum për të dimrin por edhe stinuet e tjera .

Gjatë kësaj kohe, në shumë zona të Shqipërisë, gratë dhe gjyshet nisin të përgatisin tushitë, trahananë, petkat, mishin e thatë apo frutat dhe perimet e thata siç janë fiqtë, mollët, rrushi, kajsitë, kumbullat, domatet dhe specat.

Së fundmi, amvisat shqiptare po praktikojnë një recetë të re, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë: bamjet e thata, të cilat janë të shijshme dhe plot me vlera ushqyese.
Tharja e bamjeve është një proces i thjeshtë
Mënyra 1

Mjafton të keni një furrë me temperaturë 60 gradë celcius. Lajini, hiqini pjesën e kurorës dhe prijini diagonalisht në copëza të vogla.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon t’i vendosni një e nga një mbi një letër gatimi dhe futini në furrë për t’i tharë nga 16 deri në 20 orë.

Periudha e tharjes së bamjes ndikohet edhe nga qarkullimi i ajrit, ndaj rekomandohet përdorimi i një freskuese në drejtim të derës së hapur të furrës.
Mënyra 2

Bamjet shpëlahen me ujë të bollshëm e të ftohtë dhe më pas të thahen me kujdes me letër kuzhine.

Më pas ato duhen prerë në gjysmë, sepse në këtë mënyrë mund të thahen më shpejt.

Pasi i keni prerë në dysh, bamjet duhet t’i vendosni në një zgarë druri ose metalike të mbështjellë me një napë të hollë dhe të pastër.

Zgara duhet vendosur në një vend të atillë që të mundësojë qarkullimin e pandërprerë të ajrit nga poshtë dhe lart.

AgroWeb.org këshillon t’i mbuloni me një napë tjetër të pastër e të hollë që të parandaloni insektet.

Zgara e drunjtë ose metalike duhet vendosur në ambient të jashtëm e të ndriçuar mirë nga dielli për gjatë gjithë ditës.

Bamjet nuk duhen mbajtur në hije sepse do të prishen.

Në mbrëmje, zgarën mund ta fusni brenda që të parandaloni dëmin e vesës.

Për tre ditë me rradhë, bamjet duhet t’i nxirrni në diell që në mëngjes që të thahen në mënyrë të njëtrajtshme, rekomandon AgroWeb.org.

Ato konsiderohen të thara në momentin që lëkura e jashtme forcohet dhe tuli nuk nxjerr asnjë lëng pas shtrydhjes me gishta.

Bamjet e thara duhen mbajtur në qese të mbyllura ose në enë qelqi të mbuluara mirë me kapak.

Ato mund t’i mbani në frigorifer për disa muaj ose në ngrirje për deri në 3 vjet.
Vlerat shëndetësore të bamjes së thatë

Bamja e thatë ofron një sërë vlerash ushqimore.

Ajo përmban sasi domethënëse të acidit folik dhe vitaminës B6.

Në 15 gramë bamjesh të thata gjenden 3.3 gramë fibër dietike e cila ndihmon sistemin tretës dhe lëvizjen e zorrës së trashë duke parandaluar kostipacionin dhe diarenë.

Bamja e thatë është plot e për plot me vitamina A dhe C.

Në një sasi prej 15 gramësh bamjesh të thata gjenden 97 përqind e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës A e cila i bën mirë lëkurës dhe qelizave të kockave./

Exit mobile version