Andry Shevchenko shpreson të kualifikohet për në Kupën e Botës “Rusia 2018”.
Por, së pari duhet t’i mposhtë dy kundërshtarët e fundit, Përfaqësuesen e Kosovës dhe Kombëtaren e Kroacisë.
Ish-futbollisti i Milanit dhe Chelseat më 6 tetor do të zbarkojë në Shqipëri, në “Loro Borici” për takimin kundër Kosovës.
Ai e sheh ndeshjen përballë kosovarëve si të vështirë, për shkak të terenit dhe shikuesve.
“Ne kemi një shans të mirë. Ne kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme që vijnë kundër Kosovës dhe Kroacisë. Unë mendoj se gjithçka po shkon në drejtim të duhur për ne. Po, për t’i fituar këto ndeshje duhet të dalësh në fushë dhe të luash. Ju duhet të jepni performacën më të mirë, sepse presioni, atmosfera dhe rëndësia e lojës janë shumë të mëdha. Jemi duke u përgatitur të luajmë mirë”, ka thënë Shevchenko në një intervistë për FIFA-n.
Për momentin Ukraina gjendet në pozitën e katërt në tabelë me 14 pikë, dy më pak se Kroacia dhe Islanda që kanë pikë të njëjta nga 16.
Ndeshja e parafundit për Ukrainën do të luhet më 6 tetor në “Loro Borici” të Shkodrës. Dhe më 9 tetor kundër Kroacisë në Kiev.