Shërbimi Korrektues i Kosovës i hedh poshtë akuzat e Vetëvendosjes

Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë për, siç thuhet, deklaratat dhe akuzat e pabaza të adresuara ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se nuk ka asnjë “terrorizim” apo sjellje të pahijshme të zyrtarëve korrektues ndaj të paraburgosurve, thuhet në kumtesënn e lëshuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, transmeton Telegrafi.

Të paraburgosurit nuk “po enden nëpër zyra të ndryshme” siç po pretendon Lëvizja Vetëvendosje, por po dërgohen për ekzaminime të rregullta si pjesë e procedurave të paraburgimit.

Shërbimi Korrektues ka marrë masa shtesë mbikëqyrëse dhe të kujdesit ndaj të paraburgosurve. Kujdesi i shtuar i zyrtarëve korrektues, është në funksion të sigurisë së të paraburgosurve dhe asnjëherë nuk ka tendenca keqtrajtimi.

Për hir të transparencës, Ministria e Drejtësisë fton Zyrën e Avokatit të Popullit dhe KMDLNJ-në që të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe të verifikojnë gjendjen e të paraburgosurve dhe sjelljet e zyrtarëve korrektues, thuhet në kumtesë.