Dy rekorde të reja u thyen të dielën në malin Everest nga një udhërrëfyes nga Nepali dhe një britanik.
Kami Rita Sherpa, 54 vjeç, e ngjiti malin më të lartë të botës për të 29-ën herë ndërsa britaniku Kenton Cool u ngjit për herë të 18-të.
Sherpa theu rekordin e vet. Ai është udhërrëfyes prej dy dekadash dhe për herë të parë u ngjit në vitin 1994, gjë që ka vazhduar ta bëjë thuajse çdo vit.
Sherpa mbërrriti në majën 8849 metra të lartë të dielën në orën 07:30 lokale. Më parë ai ka folur për mediat duke thënë se kjo është thjesht një punë, por në fakt e ngjiti malin dy herë vitin e kaluar për të rimarrë kurorën nga rivali dhe bashkatdhetari i tij, Pasang Dawa Sherpa.
Ndërkohë Cool nga Gloucestershire e përfundoi ngjitjen e tij të dielën gjithashtu. Britaniku është gjithashtu një guidë për ngjitjet në mal dhe më parë është shprehur se “shumë prej vendasve kanë arritur të bëjnë më shumë ngjitje”.
Lhakpa Sherpa është gruaja që ka bërë më shumë ngjitje në Everest dhe në vitin 2022 shënoi rekordin e 10-të.
Sezoni i ngjitjeve sapo ka nisur dhe pritet që qindra njerëz të arrijnë ta përfundojnë udhëtimin e tyre në majën më të lartë të botës. Qeveria e Nepalit ka lëshuar 400 leje këtë vit për sezonin e pranverës që zgjat nga prilli deri në qeshor. Thuajse të gjithë shoqërohen nga një udhërrëfyer vendas çka do të thotë se gati 800 njerëz priten të bëjnë ngjitjen.
Vitin e kaluar më shumë se 600 njerëz ia dolën që të arrinin në majë. Megjithatë, ishte edhe sezoni më vdekjeprurës sepse u regjistruan 18 vdekje./