Me ngritjen e flamurit kombëtar në kodrën Hum të Sarajevës, me intonimin e himnit kombëtar të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), ka filluar mëngjesin e sotëm shënimi i 25 Nëntorit – Ditës së Shtetësisë së BeH-së, raporton Anadolu.
Në ceremoni morën pjesë delegacione të shumta dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, ndërsa delegacioni shtetëror udhëhiqej nga kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq dhe anëtari i Kryesisë Denis Beqiroviq.
Simboli kombëtar i BeH-së u vendos nga qyteti i Sarajevës disa vite më parë me qëllimin për të treguar respekt për shtetin e BeH-së dhe qytetarët e saj.
Delegacionet shënuan Ditën e shtetësisë duke vizituar dhe vendosur lule në disa lokacione në kryeqytetin e BeH-së. Delegacionet vendosën lule në memorialin “Zjarri i Përjetshëm”, Varrezat e Kovaçës dhe varrin e presidentit të parë të Republikës së BeH-së, Alija Izetbegoviq, memorialin për fëmijët e Sarajevës së rrethuar 1992-1995 dhe në Parkun Memorial të Vraçës.
Sot, Bosnjë e Hercegovina feston Ditën e shtetësisë, datë në të cilën 80 vjet më parë u mbajt Sesioni i Parë i Këshillit Kombëtar Antifashist të Çlirimit Popullor të BeH-së në qytetin Mërkonjiç, ku u sollën vendimet për rindërtimin e shtetësisë së BeH-së.