Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shënohet Dita e Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës

Shënohet Dita e Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës

Përkujtimi i 25 Nëntorit – Ditës së Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), filloi mëngjesin e sotëm me ngritjen e flamurit kombëtar në kodrën Hum të Sarajevës dhe me këndimin e himnit kombëtar, raporton Anadolu.

Në ceremoni morën pjesë, ndër të tjera, anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq dhe Denis Beqiroviq.

Simboli kombëtar i BeH-së u vendos nga qyteti i Sarajevës disa vite më parë me qëllimin për të treguar respekt për shtetin e BeH-së dhe qytetarët e saj.

Sot, Bosnjë e Hercegovina feston Ditën e Shtetësisë, datë kur, tetë dekada më parë në qytetin Mërkonjiq u mbajt Sesioni i Parë i Këshillit Kombëtar Antifashist të Çlirimit Popullor të Bosnjë e Hercegovinës (ZAVNOBiH), ku u morën vendime për rivendosjen e shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës.

Dokumentet origjinale si Rezoluta nga Sesioni i Parë i ZAVNOBiH-së i mbajtur në Mërkonjiq më 25/26 nëntor 1943, me të cilin serbët, kroatët dhe muslimanët arritën në vendimin të rivendosin shtetësinë e BeH-së si dhe Deklarata për të Drejtat e Qytetarëve nga Sesioni i Dytë i ZAVNOBiH-së i mbajtur më 1 qershor 1944 në Urën Sanski (Sanski Most) janë vetëm pjesë e një materiali jashtëzakonisht të rëndësishëm që tregon për vendimet historike të marra në atë periudhë për vendin, të cilat ndodhen në depon e Arkivit të BeH-së.

Me rastin e 25 Nëntorit, gjatë ditës do të organizohen më shumë ngjarje në Sarajevë dhe në të gjithë vendin. Delegacione të shumta gjatë ditës do të vendosin lule në monumentin e Zjarrit të Përjetshëm, në Varrezat “Kovaçi” dhe në Monumentin e fëmijëve të vrarë të Sarajevës së rrethuar.

Exit mobile version