Shënohet 112-vjetori i krijimit të Policisë së Shqipërisë

Me disa aktivitete në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, sot është shënuar 112-vjetori i krijimit të Policisë së Shqipërisë, raporton Anadolu.

Me rastin e këtij përvjetori, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, organizoi një aktivitet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme dhe efektivëve të policisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet, drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, u shpreh se policia që nga themelimi i saj ka qenë një mbrojtëse e palëkundur e ligjit për sigurinë e qytetarëve.

“Me një histori të pastër dhe të ndërtuar mbi sakrifica të panumërta ajo ka dëshmuar forcën dhe përkushtimin e saj ndër vite. Rruga 112-vjeçare e policisë është e ndërthur ngushtë me historinë e shtetit shqiptar”, tha ai.

Alushi theksoi se policia ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike. “Për të gjithë ne 13 janari është një ditë festimi dhe krenarie, por dhe një moment reflektimi mbi përgjegjësitë tona për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për të gjithë shqiptarët”, u shpreh ndër të tjera Alushi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij tha se sot Policia e Shtetit e ka kthyer Tiranën në një nga kryeqytetet më të sigurta në Evropë.

“Do duhet të pranojmë gjithashtu se Policia e Shtetit ka pasur ndoshta ndryshimin dhe hovin më cilësor në këto vitet e fundit. Policia e Tiranës jo vetëm i shërben shumë më shumë banorëve sesa në qarqe të tjera, por dhe shumë më shumë turistëve se në qarqe të tjera. Ne do të bëjmë maksimumin që të jemi bashkëpunues”, tha Veliaj.

Një fjalë përshëndetëse në aktivitet mbajtën edhe Prefekti i Qarkut Tiranë, Afrim Qendro dhe kreu i Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi.

Ceremoni dhe aktivitete të tjera për këtë përvjetor janë mbajtur në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Si datë e krijimit të Policisë së Shtetit Shqiptar njihet 13 janari i vitit 1913.