Me përfundimin e pandemisë dhe rifillimin e jetës normale, ju mund të ndiheni edhe më të shqetësuar se sa ishit më parë.
Prandaj është shumë e rëndësishme të gjenden mënyra që na ndihmojnë me këto sfida të shëndetit mendor. Një mënyrë e shkëlqyer për të mbështetur shëndetin tuaj mendor dhe për t’u ndier më mirë është regjimi ushqimor.
Ka ushqime që mund të dëmtojnë shëndetin mendor, ashtu siç ka edhe ushqime që e ndihmojnë atë. Në këtë artikull ju njohim me disa nga ushqimet që konsumohen në përditshmëri, të cilat mbështesin shëndetin tuaj mendor.
Vezët: Të filloni mëngjesin tuaj duke konsumuar vezë, mund të jetë gjithçka që ju nevojitet për tu ndjerë më mirë. Të pasura me omega-3, zink, vitaminë B dhe jod, vezët jo vetëm që do t’iu ndihmojnë në ngritjen e humorit, por do t’ju mbajnë të ngopur për më gjatë. Vezët duhet të jenë pjesë e regjimit tuaj ushqimor për të mbështetur shëndetin mendor.
Barishtet: Barishtet jo vetëm që mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit tuaj të përgjithshëm, duke ulur kolesterolin, duke mbështetur shëndetin e kockave dhe duke ulur rrezikun e diabetit të tipit 2, por ato mund të luajnë një rol në përmirësimin e humorit tuaj. Këto bimë janë një burim i fuqishëm i folatit, i cili ndihmon në prodhimin e dopaminës, kimikateve të trurit që iu bëjnë të ndiheni mirë.
Arrat: Nëse po kërkoni për meze të lehtë për të mbështetur shëndetin tuaj mendor, anashkaloni patatet e skuqura dhe në vend të tyre konsumoni disa arra. Arrat përmbajnë selen, i cili ka treguar se ul nivelet e ankthit, depresionit dhe të lodhjes.
Produktet e detit: Edhe pse disi të nënvlerësuara, ushqimet e detit padyshim që janë të shkëlqyera për shëndetin mendor. Për shembull një racion me goca deti, siguron 30% të konsumit të rekomanduar ditor të hekurit. Siguron mbi 300% të vitaminës B12 dhe mbi 600% të zinkut, thonë ekspertët. Dhe janë këto lëndë ushqyese që janë thelbësore për shëndetin e trurit dhe prodhimin neurotransmetuesëve.