Shembja e një parkingu automjetesh në ndërtim e sipër në Tel Aviv të Izraelit ka shkaktuar alarm dhe ndërmarrjen e një operacioni të gjerë shpëtimi, pasi ekziston mundësia që shumë njerëz janë bllokuar brenda saj.
Deri më tani vetëm 18 persona janë trajtuar për lëndime të lehta në spital, por të paktën 3 persona besohet të rezultojnë të zhdukur.
Raportimet e para nga vendngjarja bëjnë të ditura se një shembje e parë shkaktoi rrëzimin e një vinçi, e më pas u rrëzua edhe pjesa tjetër e ndëresës disakatëshe.
Incidenti ka ndodhur në Ramat Hahayil, një zonë tregtare në veri të qytetit, aty ku ndodhen edhe shumë prej bizneseve më të shquara të “high-tech”-ut.
Pamjet nga vendi i incidentit në Tel Aviv tregojnë një re tymi që ngrihet përpjet nga krateri i shembjes, ndërsa sasi të mëdha rrënojash ndodhen brenda saj, transmeton Top Channel.
Dhjetëra zjarrfikëse, punonjës shpëtimi dhe shërbimeve të sigurisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të kërkuar për njerëz që besohen të jenë bllokuar nën rrënoja.
Gazeta izraelite “Haaretz” citon një zëdhënës të shërbimit të zjarrfikëses se “ka shumë persona të varrosur për së gjalli nën rrënoja”.