Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefja e ndihmës humanitare i OKB-së: E gjithë popullata e Ga’zës veriore...

Shefja e ndihmës humanitare i OKB-së: E gjithë popullata e Ga’zës veriore në rrezik të vd’ekjes

Shefi i ndihmës humanitare i Kombeve të Bashkuara (OKB), Joyce Msuya, ka paralajmëruar se në mes të një situate të përkeqësuar me shpejtësi dhe një goditjeje të ashpër disa-javore të ushtrisë izraelite, e gjithë popullsia e Gazës veriore është në “rrezik të vdekjes”, transmeton Anadolu.

“Spitalet janë goditur dhe punonjësit e shëndetësisë janë ndaluar. Strehimoret janë boshatisur dhe janë djegur”, tha Msuya, zv/sekretare e përgjithshme për çështjet humanitare dhe koordinatore e ndihmës emergjente në OKB.

Msuya theksoi ndikimin alarmant të sulmeve izraelite në kujdesin shëndetësor dhe sigurinë civile, si dhe gjendjen e reaguesve të parë të cilët janë “parandaluar nga shpëtimi i njerëzve nga nën rrënoja”.

Shefja e ndihmës humanitare e OKB-së shprehu shqetësim të thellë për popullatën civile, duke raportuar se “familjet janë ndarë pasi burrat dhe djemtë po ngarkohen në kamion”.

“Dhuna izraelite ka rezultuar në qindra palestinezë të vrarë”, theksoi ajo.

Msuya paralajmëroi se e gjithë popullsia e Gazës veriore është në “rrezik të vdekjes”, duke dënuar sulmet dhe bllokadën e vazhdueshme që tregojnë “mospërfillje të hapur për njerëzimin bazë dhe për ligjet e luftës”.

Ajo bëri thirrje për veprim të menjëhershëm ndërkombëtar për të ndaluar dhunën dhe për të siguruar mbrojtjen e civilëve në rajon.

Inkursionet tokësore dhe bombardimet e ushtrisë izraelite vazhdojnë në të gjithë Gazën veriore derisa forcat izraelite detyrojnë me forcë zhvendosjen e palestinezëve.

Rritet në 42.924 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 77 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet e pamëshirshme izraelite ndaj Rripit të Gazës gjatë dy ditëve të fundit, duke e rritur numrin e përgjithshëm të tyre që nga tetori i vitit të kaluar në të paktën 42.924.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se rreth 100.833 palestinezë të tjerë janë plagosur gjatë gjithë një viti të plotë sulmesh izraelite.

“Pushtimi izraelit ka kryer shtatë masakra të familjeve në 48 orët e fundit, duke rezultuar në 77 të vdekur dhe 289 të plagosur. Shumë njerëz ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë, pasi shpëtimtarët nuk mund t’i arrijnë ata”, tha ministria palestineze.

Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli vazhdon ofensivën shkatërruese në Gaza që nga sulmi i vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.

Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Për veprimet në Rripin e Gazës, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Exit mobile version