Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefja e Komisionit Evropian nesër fillon një vizitë katër-ditore në Ballkanin Perëndimor

Shefja e Komisionit Evropian nesër fillon një vizitë katër-ditore në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga nesër do të fillojë një udhëtim katër-ditor në Ballkanin Perëndimor, ku do të takohet me krerët e gjashtë vendeve të këtij rajoni, transmeton Anadolu.

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup njoftoi se von der Leyen do të takohet me liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi, me të cilët do të diskutojë “progresin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, si dhe planin e rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së”.

Fillimisht, von der Leyen nesër do të qëndrojë në Tiranë, ku pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj, ndërsa të enjten do të udhëtojë në Shkup për të takuar po ashtu kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

Pas vizitës në Shkup, më vonë gjatë ditës shefja e Komisionit Evropian do të vazhdojë udhëtimin për në Bosnjë e Hercegovinë, ku siç është planifikuar do të vizitojë edhe Jabllanicën e prekur nga përmbytjet e fundit, pas çka do të pritet në takim nga kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krišto.

Të premten, von der Leyen do të udhëtojë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Miloš Vučević.

Ajo të shtunën do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministren Albin Kurti, para se ta mbyllë vizitën e saj në Podgoricë, ku po ashtu do të takohet me krerët e shtetit.

Delegacioni i BE-së në Shkup theksoi se vizita e këtij viti në Ballkanin Perëndimor vjen në një kohë kur zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, gjë e cila sipas tyre, është konfirmuar nga von der Leyen në disa raste, duke përfshirë së fundmi në Samitin e Procesit të Berlinit dhe në Forumin Strategjik të Bledit.

Exit mobile version