Shefi i ush’trisë iraniane: Nëse Iz’raeli su’lmon Iranin, shënjestrohet e gjithë infrastruktura e tyre

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, tha se nëse Izraeli sulmon Iranin ata do të japin përgjigje më të ashpër dhe se e gjithë infrastruktura e tyre do të shënjestrohet, transmeton Anadolu.

Në fjalimin e tij video të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve iraniane IRNA, Bagheri shpjegoi detajet e sulmit raketor të kryer nga Ushtria e Gardës Revolucionare kundër Izraelit.

Bagheri tha se pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran, SHBA-ja, Evropa dhe disa vende të tjera i kërkuan Iranit që të përmbahet nga rritja e tensioneve deri në arritjen e armëpushimit në Gaza dhe për këtë arsye ata lanë pas një periudhë të vështirë në të cilën u përmbajtën për të dhënë përgjigje.

Më tej ai shtoi se në këtë periudhë Izraeli me mbështetjen dhe dritën jeshile të SHBA-së i shtoi vrasjet e tij; i shtuan sulmet e tyre kundër popullit libanez, veçanërisht vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe zëvendëskomandantit të Forcës Quds të Ushtrisë së Gardës Revolucionare, gjeneral brigade Abbas Nilforoshan.

Duke thënë se nuk ishte e mundur tolerimi i mëtejshëm i situatës, Bagheri theksoi se Ushtria e Gardës Revolucionare shënjestroi me operacionin e saj raketor bazat e rëndësishme të Izraelit.

Ai tha se pavarësisht krimeve të kryera nga Izraeli, ata në përputhje me ligjin ndërkombëtar u përmbajtën nga goditja e vendbanimeve civile dhe se në shënjestër ishin vetëm bazat ushtarake. “U shënjestruan 3 baza kryesore ajrore të Izraelit. Në shënjestër ishin baza ajrore Hatzerim pika e fillimit të sulmit ndaj Hassan Nasrallah, radarët strategjikë dhe qendrat e tankeve, shtabet qendrore të F 35 dhe Mossad, transportuesit e personelit përreth Gazës dhe baza ajrore Nevatim, ku ndodhen ushtarët e tyre” shprehu Bagheri.

Bagheri tërhoqi vëmendjen se sulmet nuk u kryen ndaj zonave industriale që do të ndikonin në infrastrukturën ekonomike të regjimit izraelit dhe popullit të tij, edhe pse në operacionin në fjalë ishte e mundur që ato të goditeshin. “Nëse SHBA-ja dhe Evropa nuk i kontrollojnë Izraelin e çmendur dhe nëse Izraeli sulmon pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit tonë, ne do të japim përgjigje disa herë më të madhe se operacioni që kemi kryer sonte dhe e gjithë infrastruktura e tyre vihet në shënjestër”, shtoi Bagheri.

“Shpresojmë që SHBA-ja të heqë dorë nga qëndrimi i mëparshëm, të ndalojë këtë makinë kriminale (Izraelin) dhe rajoni të gjejë paqen”, u shpreh Bagheri.

Në deklaratën me shkrim të bërë nga Ushtria e Gardës Revolucionare, u njoftua se ndaj Izraelit që shënjestron “sigurinë kombëtare” të Iranit u krye një sulm me raketa.

Thuhet se sulmi u krye në përgjigje të sulmeve izraelite në të cilat u vranë lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh dhe lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe gjeneralin iranian Abbas Nilforoshan.

Televizioni shtetëror iranian më vonë njoftoi se rreth 200 raketa u lëshuan në Izrael dhe se u përdorën për herë të parë edhe raketat hipersonike Fattah-1.