Shefi i UNRWA-së paralajmëron se agjencia mund të ndalojë aktivitetet nëse nuk ndërhyn AP-OKB-ja

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) paralajmëroi se operacionet e agjencisë mund të pushojnë nëse nuk ndrërhyn Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), transmeton Anadolu.

“Aftësia e UNRWA-së për të zbatuar mandatin e saj është nën kërcënim”, i ka shkruar Komisioneri i Përgjithshëm Philippe Lazzarini presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Philemon Yang, në një letër.

“Sot, më duhet t’ju ​​informoj se Agjencia është nën një sulm të tillë fizik, politik dhe operacional – të paprecedentë në historinë e OKB-së – që zbatimi i mandatit të saj të bëhet i pamundur pa ndërhyrjen vendimtare të Asamblesë së Përgjithshme”, tha Lazzarini, duke shtuar:

“Pasojat për palestinezët, për Izraelin dhe për rajonin do të jenë të rënda”.

Letra erdhi pas miratimit të projektligjeve nga Knesseti (parlamenti) izraelit kundër UNRWA-s, që synojnë ta pengojnë atë të veprojë në territorin e pushtuar palestinez.

“Këto projektligje nuk do të ndërpresin statusin e refugjatit të palestinezëve, i cili ekziston pavarësisht nga ofrimi i shërbimit të UNRWA-së. Ato do të dëmtojnë rëndë jetën dhe të ardhmen e tyre”, tha ai, duke shtuar:

“Sot, edhe pse shikojmë fytyrat e fëmijëve në Gaza, disa prej të cilëve e dimë se do të vdesin nesër, rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po shkatërrohet në një përsëritje të tmerreve që çuan në themelimin e OKB-së dhe në shkelje të angazhimeve për të parandaluar përsëritjen e tyre”, tha Lazzarini.

Ai u bëri thirrje vendeve anëtare që të marrin masa për të mbështetur UNRWA-n në përputhje me seriozitetin e situatës dhe rreziqet që lidhen me të.